Qiproja do dërgojë dy ertraktorë për të shuar zjarret në RMV

Qiproja do të dërgojë dy ertraktorë me katër anëtarë ekuipazhi dhe pesë persona të tjerë për mbështetje në shuarjen e zjarreve në komunat Sveti Nikollë dhe Çashkë, si pjesë e ndihmës për vendin tonë nga Mekanizmi për Mbrojtje Civile i BE-së, transmeton Portalb.mk.

Autoritetet nga Qipro kanë njoftuar se nisja e avionëve është sot nga aeroporti i Pafosit në rrugë për në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit (me ndalesë në aeroportin e Rodosit për furnizim me karburant).

“Misioni parashikohet të jetë në Republikën e Maqedonisë së Veriut rreth orës 17:00. Misioni do të qëndrojë dhe do të punojë në Republikën e Maqedonisë së Veriut për pesë ditë”, informuan autoritetet e Qipros.

Përmes Mekanizmit për Mbrojtje Civile të BE-së, ndihmë në përballjen me zjarret ka pasur edhe nga shtetet si Gjermania, Çekia, Serbia etj.

Qendra për Menaxhim me Kriza njoftoi se nga gjithsej 41 zjarre në hapësirë ​​të hapur gjatë 24 orët e fundit, gjashtë janë aktive, nëntë janë vënë nën kontroll, dhe 26 janë shuar.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka marrë vendim për ekzistimin e gjendjes së krizës për shkak të rritjes së shfaqjes së zjarreve në territorin e vendit.

Kujtojmë se është vënë ndalesë e plotë e lëvizjes në pyje dhe toka pyjore në territorin e menaxhuar nga NP “Pyjet Kombëtare”, i cili do të zgjasë deri në ditën e shfuqizimit të tij, në periudhën nga ora 06:00 deri në orën 20:00. 

Bashkimi Evropian (BE)Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) RMVQiproZjarrZjarrfikës