Qeveria solli vendim të ndalohet bixhozi online për disa kompani në Maqedoninë e Veriut

Në seancën e sotme të Qeverisë është sjellë vendimi për realizimin e interpretimit nga Kuvendi për ndërprerjen e vlefshmërisë së licencave jolegale për kazinot online, me këtë edhe ndalimin e bixhozit online në shtet për disa kompani, transmeton Portalb.mk.

“I ndaluam lejet e dëmshme që qeveria e kaluar e BDI-së dhe LSDM-së ua ndau kompanive serbe, malazeze dhe kompanive të tjera. E ndaluam mundësinë që fëmijët tanë të luajnë bixhoz në telefonat e tyre, në kompjuterët e tyre nga shtëpia dhe nga shkolla. Mungesën e një procedure të qartë, Qeveria e kaluar me vetëdije e ka shfrytëzuar për të krijuar kompani të reja e të reja të bixhozit online dhe internet”, shkroi zëvendëskryeministri Izet Mexhiti.

Por nga njoftimi i Qeverisë u kuptua se licenca u është marrë vetëm kompanive Mozzart dhe 2win.mk.

“Për shkak të parregullsive në punë, lëshimeve dhe dyshimeve të bazuara për punë dhe sjellje të paligjshme, njoftoi shërbimi për shtyp i qeverisë, Qeveria ka shqyrtuar dhe miratuar informacionin në lidhje me nevojën e ndërprerjes së Shoqatës për organizimin e lojërave elektronike të fatit, Video Lotaria e re shtetërore Lotaria NOVO VLT SHPK- Shkup dhe shoqatave për organizimin e lojërave të fatit onllajn, Shoqata për organizimin e lojërave të fatit onllajn Lotaria shtetërore – MOZZART SHPK Shkup, Shoqata për organizimin e lojërave të fatit onllajn Lotaria shtetërore – 77 BITS SHPK Shkup dhe Shoqëria për organizimin e lojërave të fatit onllajn Lotaria Shtetërore – VEZUV SHPK Shkup, në të cilën SHA për organizimin e lojërave të fatit, Lotaria Shtetërore e Republikës së Maqedonisë së Veriut është partner dhe ndërmerr aktivitete për heqjen e platformës 2Win.mk për organizimin e lojërave në internet (onllajn) të Shoqërisë për organizimin e lojërave të fatit, Video Lotaria shtetërore e Republikës së Maqedonisë – CASINOS AUSTRIA SHPK- Shkup”, u tha mes tjerash në kumtesën e Qeverisë.

Por, në Maqedoninë vepron edhe një kompani tjetër në bixhozin online – Megawin. Për të nuk u njoftua se i është marrë licenca, ndërkaq nga ana tjetër, tashmë dihet se në vendin tonë veprojnë edhe kompani të tjera të bixhozit online e që janë me seli në Serbi.

Kuvendi më 11 shtator përfundoi debatin për Propozim ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese, në lexim të parë, të propozuar nga deputetë nga Fronti Evropian, dhe me 64 vota “për” dhe 13 “kundër” konstatuan se nuk është i pranueshëm dhe se nuk mund të jepet për lexim të mëtejshëm.

Ndryshe, Ligji për lojërat e fatit i propozuar nga koalicioni Fronti Evropian, më 12 gusht u largua nga rendi i ditës i seancës së Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Kjo ndodhi pas miratimit të propozimit për interpretim autentik të Ligjit për lojërat e fatit dhe lojërave zbavitëse që u propozua nga deputetët e VMRO-DPMNE-së.

Ndryshimet ligjore parashihnin që lokalet afariste në të cilat organizohen lojërat e fatit në bastore dhe në klubin e automateve, lotaria në ambiente të mbyllura dhe lojërat elektronike të fatit duhet të vendosen në një distancë prej jo më pak se 500 metra nga shkollat ​​fillore dhe të mesme.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI)BastoreBixhozFronti EvropianIzet MexhitiParlamenti - Kuvendi i Maqedonisë së VeriutQeveria e Maqedonisë së Veriut