Shtëpia Botuese “Shkupi”, me udhëheqës Azam Dautin, në bashkëpunim me Komunën e Çairit, ka organizuar Akademi Përkujtimore për nder të shkrimtarit të ndjerë Fadil Curri. Paraprakisht u bë edhe emërimi i leximores së vetme në Çair me emrin e shkrimtari të ndjerë, transmeton Portalb.mk.
“Me përkushtimin dhe vlerësimin tonë të sinqertë, sot i dhamë nderimin që i takon figurës së shquar të shkrimtarit Fadil Currit, duke kujtuar dhe emëruar leximoren e Çairit me emrin e tij. Emri i tij është lidhur ngusht me përpjekjet për ruajtjen e identitetit dhe kulturës shqiptare”, deklaroi kryetari Visar Ganiu.
Në ngjarjen e sotme kulturore mori pjesë edhe kryetari i komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, drejtori i shkollës “Ilaz Thaçi”, Akif Shkreta, ku edhe punoi së fundmi shkrimtari i ndjerë.
“Ky përkujtim jo vetëm që rikujtojë rëndësinë e shkrimtarit Fadil Curri në historinë tonë letrare, por gjithashtu shërbeu si një thirrje për të vazhduar leximin dhe promovimin e veprave të tij, si një pasuri e përherëshme e kulturës sonë. Fadil Currin do ta rikujtojmë gjithmonë si një shpirt krijues i pavdekshëm, që e bëri letërsinë shqiptare me të pasur”, deklaroi Ganiu.
Në këtë ngjajre kulturore, që u organizua në 65 vjetorin e lindjes së shkrimtarit të ndjerë, u bë edhe promovimi i librit të fundit të shkrimtarit, “Hani i Tre Djajve”, libër i cili ishte dorëzuar në botim para vdekjes.
Në lidhje me librin ka folur recensenti i librit, Rexhep Bajrami, ndërsa në ngjarjen kulturore foli edhe miku i shkrimtarit, zotëri Mitat Shaqiri, Ramadan Ramadani, Visar Ganiu, Mehmet Ballazhi, Akif Shkreta.
Poezia e fundit e shkrimtarit Fadil Curri, “Ky Popull”, u interpretua nga aktori Vullnet Mahmuti dhe artisti Nehat Curri me klarinetë.
Ndryshe, Fadil Curri ka dhënë kontribut të madh në arsim dhe letërsinë shqipe duke lënë pas vetes disa vepra. Ai edhe pse u shkollua dhe krijoi familje në Maqedoninë e Veriut, shteti e konsideroi si njeri të rrezikshëm andaj nuk i dha shtetësi, si pasojë ai u desh që të zhvendosej në Hanin e Elezit dhe të konsiderohej i huaj në shtëpinë e vet në Shkup.
Fadil Curri u lind në fshatin Dërmjak të Hanit të Elezit më 25 shtator 1959 kurse ndërroi jetë më 6 prill në moshën 65 vjeçare.