Qeveria e RMV-së shqyrton kufizimin e çmimeve për produktet shkollore

Qeveria e Maqedonisë së Veriut është duke analizuar gjendjen me çmimet e produkteve shkollore dhe po bëhet gati për të kufizuar këto çmime me qëllim tu lehtësojë harxhimet prindërve në fillim të vitit shkollor, shkruan Portalb.mk.

Kështu ka paralajmëruar kryeministri Hristijan Mickoski i cili tha se analiza pritet të jetë gati sot dhe në seancën e nesërme të qeverisë të ketë diçka më konkrete.

“Shpresoj që gjatë ditës të jetë gati ajo analizë dhe në seancën e nesërme të qeverisë të dalim me një propozim për masat dhe menjëherë pas përfundimit dhe pas miratimit me sukses të masës do të kemi konferencë për shtyp për të qenë në gjendje t’i shpallim të gjitha këto të dhëna. Po përgatitemi të lehtësojmë koston e prindërve duke kufizuar çmimet e produkteve bazë që janë më të nevojshme për një fillim të suksesshëm të vitit shkollor” tha Mickoski.

Pikërisht dje Portalb.mk raportoi për çmimet e larta të produkteve shkollore dhe ankesat e prindërve për rritjen e çmimeve.

Viti shkollor 2024/2025 filloi sot për 245 mijë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme.

Mësimi në vitin e ri shkollor nuk do të zgjasë më shumë se data 10 qershor dhe nuk do të ketë pushim pranveror. Mësimi me një turne do të ketë në 140 shkolla dhe mbi 1000 asistentë arsimorë do të punësohen për të mbështetur nxënësit me aftësi të veçanta.

Në vetëm dhjetë vjet, në vend ka dhjetë përqind më pak nxënës në shkollat ​​fillore dhe të mesme. Në shifra absolute, pra 27 mijë nxënës më pak, tregon hulumtimi i Qendrës për Komunikime Civile (QKC), sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS).

Hristijan Mickoski HristianNxënës me nevoja të posaçme - veçanta - aftësi të kufizuaraNxënës të shkollave fillore - filloristëNxënës të shkollave të mesmeQeveria e Maqedonisë së VeriutShkolla filloreShkolla të mesmeVit Shkollor