Qeveria e re t’i përvesh mëngët dhe t’i zbatojë reformat që kërkohen në rrugën e integrimit drejt BE-së, kërkoi Geer

Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut duhet të punojë për zbatimin e reformave të nevojshme për vazhdimin e procesit të anëtarësimit në Bashkim Evropian (BE), tha të enjten ambasadori i BE-së në Shkup, David Geer, raporton Radio Evropa e Lirë. Diplomati evropian theksoi se blloku beson në formimin e një qeverie stabile, e cila do t’i përkushtohej detyrimeve që ka marrë, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit.

“Ne presim formimin sa më shpejt të një qeverie stabile. Ajo që duam të shohim, pas formimit të qeverisë është që ekzekutivi i ri t’i përvesh mëngët dhe t’i zbatojë reformat që kërkohen në rrugën e integrimit drejt Bashkimit Evropian”, deklaroi Geer.

VMRO-ja thotë se nuk është kundër përfshirjes së bullgarëve në Kushtetutë, por kërkon garanci se Sofja nuk do të paraqesë kërkesa të reja kundrejt Shkupit.

“Unë besoj se interesi i këtij vendi është të vazhdojë në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Ne në Bashkim Evropian jemi të gatshëm të punojmë me qeverinë e re dhe të gjithë ata që mbështesin procesin e reformave, i cili është i nevojshëm për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta ndihmuar këtë vend të përparojë në rrugën drejt BE-së”, theksoi Geer.

Kujtojmë se ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë. Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.

VMRO-DPMNE me 58 deputetë, koalicioni VLEN me 14 deputetë dhe ZNAM me 6 deputetë, pritet të formojnë qeverinë e ardhshme të Maqedonisë së Veriut, duke llogaritur që një nga sfidat e koalicionit qeveritar do të jetë edhe zhbllokimi i procesit eurointegrues, gjegjësisht realizimi i ndryshimeve kushtetuese.

 

 

Bashkimi Evropian (BE)Dejvid Gir (David Geer)Eurointegrime Negociata RMV-BEHristijan Mickoski HristianQeveria e Maqedonisë së VeriutVLEN (Lidhja Evropiane për Ndryshim)