Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi dy strategji në kuadër të politikave fiskale, në vitin 2029 planifikohet ulja e borxhit publik nën limit

Dy strategjitë e afatgjata të përgatitura nga Ministria e Financave, u miratuan nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut. Të dy strategjitë janë në kuadër të politikave fiskale, transmeton Portalb.mk.

“Qeveria në seancën e fundit miratoi Strategjinë Fiskale për periudhën 2025-2029 dhe Strategjinë e Menaxhimit të Borxhit Publik për periudhën 2025-2027 me perspektivë deri në vitin 2029. Këto janë dokumente strategjike që përshkruajnë rrugën afatmesme në të cilën do të ecë politika fiskale”, raportoi Ministria e Financave.

Ministrja e financave, Gordana Dimitreska Koçoska, vlerësoi që përmes kësaj politike, do të ketë stabilitet makroekonomik dhe përkrahje të aktivitetet ekonomike, përmes rritjes së shpenzimeve kapitale, përforcimit të transparencës dhe llogaridhënies, si dhe uljen e ekonomisë joformale.

“Me qëllim mbajtjen e nivelit të borxhit publik brenda kornizave të qëndrueshme, pa dëmtuar qëndrueshmërinë fiskale, me këtë strategji përcaktohen limitet e përgjithshme të borxhit publik në periudhë afatmesme dhe afatgjatë. Sipas projeksioneve, në fund të vitit 2024 ai do të mbërrij në nivel prej 66.4%, ndërsa në vitet e ardhshme do të ulet gradualisht si rezultat i konsolidimit fiskal gradual dhe në vitin 2029 do të jetë nën limitin e përcaktuar prej 60% të PBB-së”, planifikoi Ministria e Financave.

Ndryshe, Banka Popullore e RMV-së njoftoi se më 30 qershor 2024 neto borxhi i jashtëm arriti në 4,481 milionë euro ose 30,8 për qind nga PBB-ja e parashikuar. Borxhi i jashtëm neto në tremujorin e dytë të vitit 2024 është rritur për 109 milionë euro ose 2,5 për qind. Nga aspekti i strukturës, borxhi neto privat vazhdon të ketë peshë më të madhe në totalin e borxhit neto me 64 përqind.

Kryeministri Hristijan Mickoski në fushatën parazgjedhore kishte premtuar marrjen e borxhit prej një vendi të huaj, duke e mbajtur të fshehur se për cilin shtet bëhet fjalë. Ai kishte paralajmëruar nismën e re për zhvillimin e komunave në vend duke siguruar 250 milionë euro. Me një borxh publik që i afrohet 9 miliardë eurove dhe një borxh të jashtëm bruto deri në 11,8 milionë euro, shteti me një zgjidhje ligjore siguroi terrenin për kredinë e re nga Hungaria në vlerë pre 500 milionë euro.

Borxh - BorxhmarrjeBorxhi publik i shtetit RMVGordana Dimitrieska KoçoskaMinistria e Financave (MF)