Qendra sociale për persona me aftësi të veçanta mbetet premtim i parealizuar i Komunës së Çairit, topin e hedhin te Ministria e Politikës Sociale

Qendra sociale për persona me aftësi të veçanta ende nuk është themeluar në Çair pavarësisht premtimit që e bëri kryetari i kësaj komune Visar Ganiu para zgjedhjeve të fundit lokale. Nga Komuna e Çairit arsyetohen se për themelimin e kësaj qendre nevojitet investim nga Ministria e Politikës Sociale, ndërsa nga Ministria ftojnë komunën të jetë proaktive në këtë drejtim, shkruan Portalb.mk.

Premtimi për qendrën sociale për personat me aftësi të veçanta ende mbetet në letër i parealizuar.

Në programin zgjedhor ‘Tek e blerta’ 2021-2025 Visar Ganiu kryetari i Komunës së Çairit, premtoi se përpos mbështetjes dhe asistimit për individët me nevoja të veçanta, Komuna e Çairit do të angazhohet për ndërtimin e një qendre sociale në mbështetje të këtyre personave.

Te pjesa zhvillimi ekonomik, konkretisht në faqe 42 thuhet:

“Qendër për personat me nevoja të veçanta në këtë mandat, përpos mbështetjes dhe asistimit për individët me nevoja të veçanta, Komuna e Çairit do të angazhohet për ndërtimin e një qendre sociale në mbështetje të këtyre personave të cilët janë pjesë e pandashme e shoqërisë sonë”.

Megjithatë, gati tre vite më vonë ky premtim nuk është realizuar ende.

Portalb.mk kërkoi nga Komuna e Çairit se pse deri tani nuk është bërë e njëjta, u arsyetuan se nevojitet ndihma e Ministrisë së Politikës Sociale, të cilën nuk e kanë pasur.

“Qendra sociale për persona me aftësi të veçanta nuk mund të hapet pa investim të Ministrisë Sociale, nevojën e kemi për ta hapur dhe këtu pritet që Ministria të ketë interesim që ta bëjë. Në mandatin e kaluar nuk e ka parë të arsyeshme, në qeverinë e re presim që mund të bëhet d.m.th një punë e tillë”, thanë nga Komuna e Çairit.

Ndërsa nga Ministria e Politikës Sociale, theksuan se në përputhje me rregulloret ligjore, ministria të paktën një herë në vit publikon thirrje publike për ofrimin e shërbimeve sociale nga komunat.

 “Ministria i fton komunat të jenë proaktive me qëllim të zgjerimit të rrjetit të shërbimeve sociale dhe disponueshmërisë së tyre për një numër sa më të madh qytetarësh”, thanë nga Ministria e Politikës Sociale.

Ndryshe, personat me nevoja të veçanta sidomos ata me vështirësi në ecje dhe lëvizje përballen me sfida të mëdha në këtë komunë. Më 23 shtator të këtij viti Ertan Shakiri dhe Zhivko Milevski nga shoqata “Sos Vita” në Çair, treguan vështirësitë me të cilat ata përballen për çdo ditë si persona me aftësi të veçanta në lëvizje.

Komuna e ÇairitPortalb Fakt - Premtime parazgjedhoreVisar Ganiu