Protestë e re e bujqve të Strumicës pasi blerësit nuk respektojnë çmimet e dakorduara për specin e kuq

Në një atmosferë të tensionuar kaloi takimi i sotëm i bujqve që kultivojnë specin e kuq i cili përdoret për ajvar dhe ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Borçe Serafimovski, transmeton Portalb.mk.

Në protestën e sotme të radhës, bujqit e zemëruar theksuan se, në vend të 30 denarëve për kilogram për klasën e parë dhe të dytë të përzier, siç ishin dakorduar më herët blerësit dhe përpunuesit, çmimi ka rënë në 25, përkatësisht 20 denarë për kilogram.

Bujqit kërkuan që shteti të gjejë mënyrë për t’i mbrojtur nga manipulimet me çmimet nga tregtarët dhe blerësit.

Ata reagojnë se, pas marrëveshjeve të arritura më parë dhe çmimeve të paralajmëruara, situata në terren sërish po ndryshon, ndërsa një pjesë e prodhimit po blihet me çmime dukshëm më të ulëta.

Ata thonë se me çmime të tilla të blerjes, punojnë me humbje dhe kërkojnë nga institucionet të gjejnë mënyrë që marrëveshja të zbatohet edhe në praktikë.

Ministri i Bujqësisë deklaroi se bujqve nuk u nevojiten tensione, por blerje e sigurt dhe institucione që do të qëndrojnë pranë tyre deri në zgjidhjen përfundimtare të problemit.

Bujqit ditë më parë protestuan disa ditë me radhë ndërsa më pas arritën marrëveshje që në vend të 25 denarëve speci për ajvar për kapacitetet e industrisë së konservimit dhe përpunimit të blihet për 30 denarë kilogrami.

Bujqësi - Bujk - FermerëMinistria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave (MBPEU)Strumica