Bujqit nga i gjithë rajoni i Strumicës kanë vijuar protestën për rritjen e çmimin e specit të kuq i cili blihet për 25 denarë. Me traktorët dhe makineritë e tyre bujqësore ata bllokuan njësinë rajonale të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, duke kërkuar rritjen e çmimit blerës të specit të kuq, i cili përdoret për bërjen e ajvarit, transmeton Portalb.mk.
Protestuesit theksuan se kërkojnë rritje urgjente të çmimit të specit ‘kurtovska kapija’ (I – 50 denarë, I-II – 40 denarë, II – 20 denarë për kilogram).
“Kërkojmë pagesë urgjente dhe në kohë të subvencioneve për kilogram të produktit të dorëzuar dhe për sipërfaqe. Kërkojmë shkurtimin e afatit të pagesës në tre muaj për sasinë e dorëzuar në fabrika, si dhe që në të ardhmen të kemi takime të rregullta dhe në kohë me ministrinë, fabrikat dhe blerësit, të paktën një muaj para çdo sezoni të mbjelljes dhe vjeljes, me qëllim që të parandalojmë në kohë problemet dhe të planifikojmë së bashku prodhimin tonë”, thonë protestuesit.
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Borçe Serafimovski, pas vizitës në Strumicë disa ditë më parë tha se çmimin e përcaktojnë kushtet e tregut, por mënyra se si zhvillohet blerja duhet të jetë ligjore, transparente dhe e parashikueshme.
“Roli i Ministrisë është të dëgjojë argumentet e të gjitha palëve, të sigurojë respektimin e rregullave dhe të kontribuojë që blerja e specave ta vlerësojë punën e fermerëve dhe të mundësojë plasimin pa pengesa”, theksoi ministri Serafimovski, duke shtuar se çdo fermer, pavarësisht nëse vepron individualisht apo përmes një shoqate, ka të drejtë që argumentet e tij të shqyrtohen seriozisht dhe me përgjegjësi.
Kujtojmë se bujqit e Strumicës tani e disa ditë po protestojnë për rritjen e çmimit të specit të kuq.