Protesta në Tiranë, janë arrestuar 23 persona, 13 janë proceduar dhe 30 të shpallur në kërkim

Policia e Shtetit njofton se ka arrestuar 23 persona, ka proceduar penalisht 13 të tjerë dhe ka shpallur në kërkim 30 shtetas, pas protestës së djeshme në Tiranë, ku u regjistruan përplasje me uniformat blu dhe dëmtime të godinave të institucioneve shtetërore, transmeton Euronews.

Sipas njoftimit të policisë, gjatë tubimit në zona të ndryshme të kryeqytetit, punonjësit e Policisë u sulmuan për orë të tëra me gurë, vida, sfera metalike, shkopinj druri e metalikë, lëndë piroteknike, bomba Molotov dhe bombola gazi të lidhura me kapsolla.

Si pasojë e sulmeve nga persona të maskuar, disa punonjës policie mbetën të plagosur dhe morën ndihmë mjekësore.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, u arrestuan shtetasit: Jul Budi, Lorenc Bezati, Dritan Zhilla, Xhuljano Minga, Mariglen Selimi, Klesti Fetiu, Valentini Lamce, Erti Zhilla, Xhulio Meçani, Arbër Elezi, Rexhep Kuçaj, Elsard Nxheç, Mario Shitka, Redon Hoxha, Brahim Omenaj, Eugen Neziri, Leon Neziri, Omer Ademi, Jurgen Ziaj, Rezart Vozga, Vesjon Arifi, Enrik Xhemalaj dhe Ramazan Dauti.

Policia bën me dije se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjeve, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

ProtestaShqipëria