Prezenca kineze në Ballkanin Perëndimor – sfidë për përmbajtjen ndaj vlerave dhe standardeve të BE-së

A ka mundësi që prezenca e Kinës në Ballkanin Perëndimor potencialisht ta mbulojë përkushtimin e rajonit që tu përmbahet vlerave evropiane, siç janë sundimi i së drejtës, qeverisja e mirë, mjedisi jetësor, liria e medias? Në cilët kapituj të bisedimeve mund të ndjehet prezenca kineze dhe të lidhet me aderimin në BE? Ku vihen re aktivitete kineze që ushtrojnë ndikim në kundërshtim me parimet e BE-së? Si të eliminohen ose të minimalizohen pasojat negative të prezencës kineze?, shkruan Meta.mk, njofton Portalb.

Këtyre pyetjeve dhe një numri të madh pyetjesh të tjera u dedikohet analiza dhe hulumtimi më i ri i Shoqatës ESTIMA dhe Fondacionit Konrad Adenauer “Ndikimi kinez mbi procesin e aderimit të Ballkanit Perëndimor: sinergji dhe pengesa”.

Analiza e ndjek klasifikimin dhe strukturën sipas klasterëve të metodologjisë së re të zgjerimit të miratuar në vitin 2020, duke i grupuar kapitujt në gjashtë kategori: themelet, tregu i brendshëm, konkurrenca dhe rritja inkluzive, agjenda e gjelbër dhe lidhja konsistente, resurset, bujqësia dhe kohezioni dhe marrëdhëniet e jashtme.

Si negativ vlerësohet ndikimi kinez mbi procesin e aderimit të Ballkanit Perëndimor në BE në pjesën e lëvizjes së lirë të mallrave, lëvizjes së lirë të punëtorëve, prokurimeve publike, të drejtës së shoqërive tregtare, shoqërisë informatike dhe mediave, politikës monetare dhe ekonomike, politikës sociale dhe punësimit, mjedisit jetësor, gjyqësisë…

Prezenca kineze në Ballkanin Perëndimor ka ndikim mbi agjendën evropiane të vendeve në më shumë kapituj. Në shumicën prej tyre, ndikimi është negativ, sepse disa nga qeveritë kanë tendencë t’i anashkalojnë vlerat, rregullat ose procedurat e BE-së që të mundësojnë bashkëpunim dhe t’i kënaqin partnerët kinezë, thuhet në hulumtim.

Në prezantimin e hulumtimit, drejtori i zyrës së Fondacionit Konrad Adenauer në Shkup, Daniel Braun theksoi se marrëdhëniet tregtare, gjegjësisht ato ekonomike me vende të tjera nuk janë asnjëherë të këqija, por porositi se është shumë me rëndësi që të vendoset fokusi te qëllimet që i ka BE-ja, e që janë ndryshe nga ato kineze.

“Kina dhe BE-ja kanë qëllime të ndryshme, por kjo nuk domethënë se ne nuk guxojmë të përdorim teknologji nga Kina, por nëse kemi pasiguri sigurie atëherë mbase do të duhet ta pyesim veten se pse e përdorim atë. Nuk duhet të ndërpriten të gjitha marrëdhëniet me Kinën, por duhet të kuptojmë se bëhet fjalë për dy anë me çmime të ndryshme, askush nuk thotë të mësojmë gjuhën kineze, por të jemi të vetëdijshëm se çfarë mund të vijë si rrjedhojë e veprimeve tona. Besoj se njerëzit në rajon pranojnë pikë pozitive nga Rusia dhe Kina si rezultat i zhgënjimit nga BE-ja, për shkak të proceseve për kyçje në BE. Prandaj madje edhe në rast se nuk jemi të sigurt se për një kohë të shkurtër vendet e rajonit do të kyçen duhet të punojmë për forcimin e lidhjeve, dhënien e më shumë dobive që i gëzojnë vendet e BE-së, për vendet e Ballkanit Perëndimor”, konsideron Braun.

Ana Kërstinovska, njëra nga autoret e hulumtimit dhe kryetare e ESTIMA-s theksoi se ajo që është me rëndësi në rrugën drejt BE-së është se si Ne do të pozicionohemi dhe sa Ne do të kemi dëshirë që t’i zbatojmë reformat.

Prezenca kineze në vendin tonë mund të jetë pozitive nëse e shfrytëzojmë si pozitive, ndërsa mund të jetë negative nëse lejojmë kontraktim të prokurimeve publike që nuk janë në pajtim as me legjislaturën tonë e as me rregullativën evropiane, tha ajo.

Hulumtimi, përveç nga Kërstinovska, është realizuar edhe nga Bledar Feta, Aleksandra Stankoviq, Senada Shello Shabiq, Aleksandra D. Spasovska dhe Momçillo Radulloviq. Është zhvilluar një matricë e bazuar në kapitujt, fushat dhe aspektet kyçe të vlerave evropiane, ndërsa hulumtuesit lokalë e kanë plotësuar atë duke përdorur baza statistikore të të dhënave, intervista, deklarata zyrtare dhe dokumente, artikuj mediatik dhe literaturë shkencore.

Çmime më të ulëta, projekte të dyshimta

“Në klasterin ‘Themelet’ në të cilin midis tjerash janë të përfshirë sundimi i të drejtës, demokracia, qeverisja e mirë, siguria dhe të drejtat e njeriut, qasja e Kinës shpesh herë është në kundërshtim me kushtet për aderim në BE. Projektet infrastrukturore që janë të financuar nga bankat kineze ndonjëherë i anashkalojnë ligjet nacionale për prokurime publike, duke i favorizuar kompanitë kineze”, thotë Kërstinovska, dhe shton se prezenca kineze në Ballkanin Perëndimor paraqet sfidë për përpjekjet e rajonit që tu përmbahet vlerave dhe standardeve të BE-së në këto fusha.

Sa i përket kësaj, dallimet midis BE-së dhe vendeve pretendente nga njëra anë, dhe Kinës nga ana tjetër, kanë koncepte qenësisht të ndryshme mbi bazat e rendit politik dhe rolit të shtetit, që ndonjëherë sjellin edhe rezultate skajshëm të kundërta.

Në raport thuhet se bashkëpunimi me Kinën në tregti, në projektet investuese dhe infrastrukturore i ka përparësitë e veta, si për shembull çmime më të lira për konsumatorët dhe mundësi për kompanitë lokale.

Megjithatë e njëjta shkakton edhe shqetësim mbi cilësinë dhe sigurinë e importit kinez, eksploatimin potencial të punëtorëve, prishjen e konkurrencës dhe anashkalimin e dispozitave për ndihma shtetërore. Disa vende, si Serbia, ofrojnë dobi të veçanta për kompanitë kineze, edhe pse këto praktika do të duhet të harmonizohen me standardet evropiane nëse vendi dëshiron të hyjë në BE, thuhet në analizë.

Shuma e përgjithshme e projekteve të financuara nëpërmjet huave vetëm nga banka kineze Eksport-Import i tejkalon 14 miliardë eurot në periudhën e viteve 2000-2021 dhe kjo shumë është plotësuar me grante dhe financim nga bankat komerciale kineze.

Për qëllimet e këtyre projekteve, e madje edhe disa projekte të financuara nga buxhetet nacionale dhe të dhëna kompanive kineze, qeveritë në rajon treguan gatishmëri që t’i anashkalojnë ligjet nacionale në fushën e prokurimeve publike dhe të bëjnë lëshime plotësuese në favor të palës kineze, thuhet në analizë.

Këtu përmendet Serbia, vendi që shfrytëzon dy të tretat e huave kineze dhe kontratave të dhëna për projektet kineze, që ka vendosur një sërë masash dhe procedurash ligjore për përshpejtim të projekteve kineze dhe kalim të atyre me ndikim të dyshimtë ndaj mjedisit jetësor. Me Malin dhe Zi dhe Maqedoninë e Veriut janë theksuar dy kontrata kontroverse për ndërtimin e autostradave me procedura të thjeshtëzuara.

Në Maqedoninë e Veriut kishte akuza se projekti më i madh i financuar nga Kina për ndërtimin e dy pjesëve të autostradave ka shkaktuar shkelje të normave ekologjike, standardeve për shëndet dhe siguri në punë, të cilat megjithatë kaluan pa hetim adekuat, thuhet në raport dhe shtohet se megjithatë vendi është përjashtim në një gjë – se është ngritur aktakuzë për rastin “Sinohidro”, por se e njëjta është hedhur poshtë nga gjykata në vitin 2019, për shkak të vjetërsimit.

Sipas raportit, në Maqedoninë e Veriut huaja nga banka kineze Eksport-Import për ndërtimin e autostradës e ka rritur borxhin e garantuar publikisht të ndërmarrjeve shtetërore deri në 8 përqind të BPV-së në vitin 2019, nga ana tjetër Serbia ka borxh prej 2.26 miliardë eurosh ndaj bankës kineze Eksport-Import.

Bashkëpunimi në arsim dhe kulturë e pasqyron ambicien e Kinës që ta avancojë fuqinë e saj të butë

Sa i përket bashkëpunimit shkencor me Kinën, në hulumtim theksohet se para pandemisë ka pasur bashkëpunim intensiv me shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, me çka Kina ka siguruar mjete për projekte të përbashkëta hulumtuese, pajisje dhe mobilitet. Ngjashëm me këtë, shtohet në analizë, bashkëpunimi në arsim dhe kulturë e pasqyron ambicien e Kinës që ta avancojë fuqinë e saj të butë. Si shembuj jepen Këshilli Kinez për Bursa (KKB) që siguron mjete për studime në Kinë për studentët e rajonit, ndërsa institutet “Konfuci” janë të pranishëm në të gjitha shtetet dhe e promovojnë gjuhën dhe kulturën kineze.

Instituti Konfuci filloi me bashkëpunim nëpër hulumtime shkencore në fusha si Inteligjenca Artificiale dhe Teknologjia Informatike. Megjithatë, në vendet e Ballkanit Perëndimor, për dallim nga pjesët e tjera të botës, institutet Konfuci nuk u bënë objekt i kontraversitetit politik.

Edhe pse liria e mediave nuk është e cenuar në hulumtim shprehet shqetësim për rritjen e propagandës kineze që i formon perceptimet e publikut në rajon.

Në Maqedoninë e Veriut pjesën më të madhe të përmbajtjeve promovuese i propozon Ambasada e Kinës nëpërmjet lidhjeve të saj me mediat lokale, përfshirë këtu edhe Agjencinë Informative Mediatike (AIM) dhe Shërbimin Nacional Radiodifuziv (RTM). Gjithashtu, rregullisht publikohen kollumna në media të shquara dhe në internet portale margjinale që i theksojnë pozitat e Kinës.

Në hulumtim theksohet se në vendin tonë ka komision të përbashkët për bashkëpunim shkencor-teknologjik dhe numri i përgjithshëm i projekteve të përbashkëta shkencore të realizuara në periudhën prej vitit 2016 deri në vitin 2021 është 40. Ministria e Arsimit dhe Shkencës në Maqedoni (MASH), ka firmosur Memorandum mirëkuptimi për financim të përbashkët të projekteve për hulumtim dhe zhvillim me Republikën Popullore të Kinës, që është pjesë e planit strategjik të MASH-it për periudhën 2022-2025.

Partneriteti strategjik midis Kinës dhe Serbisë

Edhe pse kapitali kinez ka potencial që ta forcojë zhvillimin infrastrukturor dhe konvergjencën ekonomike me BE-në, një numër i caktuar projektesh infrastrukturore dhe investimesh direkte janë shënuar, për shkak të pakujdesisë ndaj mjedisit jetësor dhe mospërmbajtjes ndaj standardeve ekologjike, qëndron në hulumtim dhe shtohet se puna e kompanive kineze në strukturën rrugore dhe në masë më të vogël në atë hekurudhore është një nga aspektet më të dukshme të prezencës së saj në Ballkanin Perëndimor.

Kështu, në Serbi puna ka filluar prej vitit 2009 me ndërtimin e Urës së Putinit dhe ka vazhduar me një numër të madh autostradash. Në vendin tonë, Sinohidro i ndërton segmentet e autostradave Kërçovë – Ohër dhe Milladinoc – Shtip, në të dy rastet me hua kineze. E njëjta kompani i fitoi tenderat për ndërtimin e rrugëve rajonale Koçan – Krupishte në vitin 2019 dhe Farish – Drenovë në vitin 2020, të dyja të financuara nga EBOR-i. Edhe një hua nga EBOR-i u përdor për blerjen e gjashtë trenave elektrikë dhe lokomotivave nga Kina në vitin 2017.

Në hulumtim vlerësohet se sektori energjetik është një nga fushat me interes të madh për Kinën në Ballkanin Perëndimor, e kjo në masë të madhe është nxitur edhe nga kërkesa e qeverive të vendit dhe dëshirës së tyre që ta rrisin mjaftueshmërinë energjetike, diçka që me shumë gjasa do të fitojë rëndësi me luftën në Ukrainë dhe obligimet e Ballkanit Perëndimor në Agjendën e Gjelbër.

Mjedisi jetësor është fushë me ndikim edhe pozitiv edhe negativ. Nga njëra anë, ai është arsye për shqetësim në shumë projekte dhe investime, ndërsa nga ana tjetër, kompanitë kineze kanë treguar interes të rritur për mbështetje të prodhimit të energjisë së gjelbër, thuhet  në konstatimet e hulumtimit.

Sa u përket marrëdhënieve të jashtme nga tjetër, në analizë theksohet se Kina zë vend dhe rëndësi dukshëm të ndryshme në politikat e jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ajo ka partneritet strategjik gjithëpërfshirës me Serbinë, e cila duket se më zëshëm i mbron interesat e Kinës në skenën ndërkombëtare dhe i ofron mundësi të mëdha ekonomike në plan. Si kundërshpërblim, pas agresionit rus mbi Ukrainën dhe kapitalit të saj me siguri të zvogëluar diplomatik, Kina u bë mbështetësi më i madh i Serbisë në kontestin e saj me Kosovën.

Sipas analizës, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, si anëtare të NATO-s, u bënë më të kujdesshme në bashkëpunimin me Kinën në vitet e fundit, edhe pse ende shpresojnë se do të kenë dobi të caktuara në formë investimesh ose qasjeje në treg.

Qëllimi i publikimit është që të bëhet një analizë gjithëpërfshirëse e ndikimit kinez në rajon dhe të identifikohen fushat ku vendet e Ballkanit Perëndimor mund t’i eliminojnë ose t’i minimizojnë pasojat negative ose t’i shfrytëzojnë sinergjitë potenciale, me qëllim që të kuptohet ndikimi midis qasjes së Kinës dhe procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.

Ballkani PerëndimorBashkimi Evropian (BE)Eurointegrime Negociata RMV-BEKinaMeta.mk