Marrëveshja amerikane për naftën dizel me Rusinë dhe kërkesa e Donald Trumpit që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky të largohet nga posti, po shkaktojnë shqetësime të reja në Kiev, shkruan Dojçe Velle (DW). A duhet Ukraina të frikësohet se do të humbasë mbështetësin e saj më të fuqishëm në luftën kundër Rusisë?
Ministri i Jashtëm ukrainas Andrij Sybiha i doli publikisht në mbrojtje Zelenskyt. Në rrjetin X ai shkroi se Volodymyr Zelensky gëzon mbështetjen e popullit ukrainas dhe se ky popull ka të drejtë të vendosë vetë. “Deklaratat që vijnë nga jashtë vetëm sa tregojnë se ai po e kryen mirë detyrën e tij. Ai meriton mbështetje.”
Trumpi përsërit kritikat ndaj Zelenskyt
Duket se SHBA-ja aktualisht nuk është e gatshme ta japë këtë mbështetje. Trump shtoi, se “ka ardhur koha që Ukraina të ketë një president të ri”, i cili do të ishte i gatshëm t’i japë fund luftës me Rusinë. Sipas Trumpit, ukrainasit duhet të kërkojnë një udhëheqës të ri që mund të arrijë një marrëveshje për përfundimin e luftës.
Kushtetuta e Ukrainës nuk lejon mbajtjen e zgjedhjeve gjatë kohës së luftës. Por Trumpi duket se e injoron këtë kufizim. Ashtu si edhe përpjekjet diplomatike të deritanishme, të cilat kanë dështuar.
Trumpi pretendon: “Rusia do të donte të arrinte një marrëveshje”
Duke folur për mundësinë e përfundimit të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, Trump tha: “Rusia do të donte të arrinte një marrëveshje, por për çfarëdo arsye, Zelensky nuk dëshiron të bëjë një marrëveshje.”
Fakt është që lufta nuk u nis nga Ukraina, por nga Rusia, e cila pushtoi vendin fqinj më shumë se katër vjet e gjysmë më parë. Kreu i Kremlinit, Vladimir Putin, ka refuzuar disa herë propozimet për një armëpushim pa kushte. Zelensky është shprehur disa herë i gatshëm për bisedime të drejtpërdrejta me Putinin, por këto oferta janë refuzuar kategorikisht nga Moska. Ndërkohë, disa iniciativa diplomatike për t’i dhënë fund luftës kanë dështuar dhe nuk kanë sjellë rezultate konkrete.
Nga ana tjetër, Zelensky është shprehur në disa raste i gatshëm për bisedime të drejtpërdrejta me Putinin, por presidenti rus i ka refuzuar kategorikisht ftesat për takime. Edhe disa nisma diplomatike për t’i dhënë fund luftës kanë përfunduar pa rezultat.
Pence: Putin nuk dëshiron paqe
Kritika ndaj Trumpit ka edhe në Shtetet e Bashkuara, madje nga një ish-bashkëpunëtor i tij i ngushtë. Ish-zëvendëspresidenti Mike Pence paralajmëroi në platformën X kundër dhënies së një “litari shpëtimi makinës luftarake të Putinit”. “Putini nuk dëshiron paqe. Putini dëshiron Ukrainën. Nuk kam asnjë dyshim: nëse Putini do ta pushtonte Ukrainën, do të ishte vetëm çështje kohe derisa ushtria ruse të kalonte një kufi ku trupat tona do të detyroheshin të përballeshin me të.”
Nga qeveria federale gjermane reagoi ministrja e Familjes, Karin Prien, ndaj qëndrimit të administratës amerikane. Në platformën X ajo shkroi: “Për disa litra naftë dizel. Çfarë falimentimi moral.” Kurse një zëdhënës i qeverisë gjermane e bëri të qartë se Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën: “Mbështetja e Ukrainës në luftën e saj mbrojtëse mbetet e palëkundur.”
Kritika erdhi edhe nga kryetarja e Komisionit për Mbrojtjen në Parlamentin Evropian, Marie-Agnes Strack-Zimmermann (FDP). Ajo shkroi në X se, nëse Trumpi i kërkon Zelenskyt të japë dorëheqjen, atëherë ai po rreshtohet pa mëdyshje në anën e agresorit. “Nëse Trumpi i kërkon Zelenskyt të largohet nga posti, ai po vendoset qartë në anën e vrasësit.”