Presidenti Pendarovski nënshkroi dekretet për pesë ligjet për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10D

Pasi Kuvendi javën e kaluar miratoi ndryshimet dhe plotësimet e ligjeve lidhur me realizimin e Marrëveshjes “Behtel dhe Enka” për ndërtimin e katër sekcioneve të autostradave në korridoret 8 dhe 10D, sot presidenti i vendit, Stevo Pendarovski ka nënshkruar dekretin për të njëjtët, transmeton Portalb.mk.

Presidenti njoftoi se pas përmbledhjes së mendimeve të ndryshme, ka marrë vendim për të nënshkruar dekretin për shpalljen e këtij ligji përmbajtja e të cilit i referohet ndërtimit të korridoreve 8 dhe 10D, të njohura në opinion si ligje për projektin e shtetit me konsorciumin amerikano-turk “Bechtel-Enka” si dhe të katër ligjeve të tjera.

“Javët e kaluara në opinion është zhvilluar debat legjitim për përmbajtjen e këtyre ligjeve dhe për njërin prej tyre kushtetutshmërinë e tyre. Pa kundërshtuar të drejtën legjitime për debat gjithëpërfshirës për asnjë ligj, përfshirë këtu edhe këto, dua të theksoj se debati nga një numër i vogël subjektesh është përdorur për të rritur polarizimin tashmë të lartë në shoqërinë tonë që ka hequr fokusin nga çështje reale që lidhen me këto ligje. Domethënë, në vend që të fokusohej diskutimi në përfitimet dhe rreziqet e mundshme lidhur me projektin, debati publik u shndërrua në një diskutim për orientimet dhe aspiratat tona strategjike euroatlantike”, tha Pendarovski.

Ligjet të cilat nënshkroi presidenti janë si vijon:

  1. Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Marrëdhënie Pune,
  2. Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Shpronësim (eksproprijim)
  3. Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Ndërtim,
  4. Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Planifikim Urbanistik,
  5. Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Konstatimin e Interesit Publik dhe nominimin e Partnerit Strategjik për Zbatimin e Projektit për Ndërtim Infrastrukturor Korridori 8 dhe Korridori 10D.

Kujtojmë që, më 22 prill u bë shënimi i realizimit të punimeve në kuadër të Marrëveshjes për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10-D. Shënimi u bë nga Ministria për transport dhe lidhje së bashku me Ndërmarrjen Publike për rrugë shtetërore.

Më 8 mars, qeveria nënshkroi kontratën për ndërtimin e autostradave nga korridoret 8 dhe 10-D me konsorciumin amerikano-turk “Bechtel dhe Enka”. Projekti peshon 1.3 miliardë euro dhe përfshin ndërtimin e gjithsej 110 kilometra autostradë.

Projekti u zyrtarizua më 4 prill në një ngjarje në pikë-pagesën e autostradës Tetovë-Gostivar, një nga katër seksionet që do të ndërtohet me një kosto totale prej 1.3 miliardë euro. Tri seksionet e tjera të mbuluara me kontratë me kontraktorin “Bechtel dhe Enka” janë Gostivar-Bukojçan, Trebenishtë-Strugë-Qafthanë dhe Prilep-Manastir.

Behtel (Bechtel & Enka)Korridori 10Korridori 8Stevo Pendarovski
Comments (2)
Add Comment