Pandemia e Covid-19 përfundoi falë një kombinimi të faktorëve mjekësorë, socialë dhe biologjikë. Miliona njerëz anembanë botës u vaksinuan, ndërsa të tjerë fituan imunitet natyror duke e kaluar sëmundjen, gjë që krijoi një shkallë të lartë të imunitetit në popullatë, duke e ulur ndjeshëm ashpërsinë e sëmundjes dhe shtrimet në spital. Si rrjedhojë, vaksinat, përkundër asaj që pretendohet në postim, aspak nuk ishin “të rreme dhe vdekjeprurëse”, por të vërteta dhe shpëtuese, shkruan Vërtetmatësi.
Po bëjmë recensim të një postimi në rrjetin social Facebook, ku shkruhet:
Fakti nr.1: Kur filloi lufta në Ukrainë, në të njëjtën kohë përfundoi edhe fushata gjenocidale me (të ashtuquajturin) virus Covid dhe me vaksinat e rreme vrastare.
Fakti nr.2: Me ardhjen e Trump në pushtet, pas një kohe të shkurtër, pushoi fushata gjenocidale me helmimin ajror përmes metaleve të rënda (helmuese), viruseve dhe baktereve. Mbetet të shohim çfarë do të ndodhë pas Trump-it, e nuk do të presim gjatë.
Invasioni ushtarak i paprovokuar që Rusia e nisi në Ukrainë në shkurt të vitit 2022 nuk ka asnjë lidhje me përfundimin e pandemisë së Covid-it, përkundër asaj që pretendohet në postimin që po recensojmë. Më 5 maj 2023, më shumë se një vit pas fillimit të luftës që Rusia e nisi në Ukrainë, Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli fundin e pandemisë së Covid-it.
Pandemia me Covid-19 përfundoi falë një kombinimi të faktorëve mjekësorë, socialë dhe biologjikë. Miliona njerëz anembanë botës u vaksinuan, ndërsa të tjerë fituan imunitet natyror duke e kaluar sëmundjen, gjë që krijoi një shkallë të lartë të imunitetit në popullatë, duke e ulur ndjeshëm ashpërsinë e sëmundjes dhe shtrimet në spital. Si rrjedhojë, vaksinat, përkundër asaj që pretendohet në postim, aspak nuk ishin “të rreme dhe vdekjeprurëse”, por të vërteta dhe shpëtuese.
Në përfundimin e pandemisë kontribuoi edhe fakti që variantet e reja u bënë më ngjitëse, por në përgjithësi shkaktonin sëmundje më pak serioze, sidomos te të vaksinuarit. Edhe pse ende ekzistojnë rreziqe për disa grupe, shkalla e përgjithshme e vdekshmërisë dhe e shtrimeve në spital, krahasuar me variantet e mëparshme (p.sh. varianti Delta), u ul.
Mjekët gjithashtu kanë në dispozicion trajtime efektive antivirale, si “Paxlovid”, steroidë dhe antitrupa monoklonalë, për të reduktuar simptomat dhe për të parandaluar sëmundjen e rëndë, ndërsa spitalet janë më mirë të pajisura për të menaxhuar rastet e Covid-it pa qenë të mbingarkuara.
OBSH-ja, për ta shpallur fundin e pandemisë, nuk e përdori luftën në Ukrainë si kriter – por kriteret ishin numri i ulët i rasteve, i shtrimeve në spital dhe i vdekjeve, nivelet e larta të imunitetit, mungesa e provave për shfaqjen e një varianti të ri më të rrezikshëm dhe faktin që sistemet shëndetësore u forcuan mjaftueshëm për të mos shkaktuar më gjendje emergjente në të ardhmen gjatë trajtimit të të sëmurëve me Covid.
Pandemia e Covid-it nuk ishte “fushatë gjenocidale”, por një pandemi reale që askush nuk e kishte parashikuar dhe me të cilën në fillim nuk mund të përballeshin. Mirëpo, me vaksinimin situata ndryshoi gradualisht.
Gjenocidi është krim ndërkombëtar që nënkupton shkatërrim të qëllimshëm, të plotë ose të pjesshëm, të grupeve kombëtare, etnike, racore ose fetare dhe bën pjesë në grupin më të rëndë të krimeve kundër njerëzimit. Ndërsa pandemia e Covid-it u shkaktua nga një virus, e jo nga dëshira e dikujt për të shkatërruar grupe të caktuara popullsie, përkundër asaj që pretendohet në postim.
Nuk është e vërtetë se “me ardhjen e Trump-it në pushtet pushoi fushata gjenocidale e helmimit ajror me metale të rënda, viruse dhe baktere”. Një fushatë e tillë nuk ka ekzistuar. Virusët dhe bakteret nuk “hidhen nga avionët”. Konkretisht, koronavirusi përhapej përmes pikëzave respiratore, ndërsa në postim paraqitet një skenar i pamundur se “njerëzit spërkateshin me virus të hedhur nga 5 ose 10 mijë metra” (lartësia në të cilën fluturojnë avionët), gjë që është absurde.
Teoria e konspiracionit për spërkatje kimike nga avionët shpesh lidhet me contrails (gjurmët e kondensimit) – gjurmët e avioneve (avull uji) që mbeten pas tyre si rezultat i kondensimit, por deformohet në “chemtrails” për të sugjeruar se ne helmohemi përmes ajrit nëpërmjet programeve të ndryshme. Kjo është një shpikje që “Vërtetmatësi” e ka hedhur poshtë disa herë.
Për shkak të të gjitha fakteve të lartpërmendura, postimin që po recensojmë e vlerësojmë si të pavërtetë.