“Politiko”: Radmilla Shekerinska, kandidate për zëvendës-sekretare të përgjithshme të NATO-s

Ish-zëvendëskryeministrja dhe ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, është kandidate për Zëvendës-sekretare të përgjithshme të NATO-s, publikoi “Politiko”. Duke u thirrur në informacione nga një diplomat i lartë i NATO-s, “Politiko” thekson se ka një konsensus të përgjithshëm mes aleatëve që si zëvendës i kreut të ri të Aleancës, Mark Rutte, të emërohet një europianolindor, transmeton Portalb.mk.

Nëse zgjidhet, Shekerinska do të jetë zyrtarja më e lartë e NATO-s deri më tani nga rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe nga një vend që nuk është anëtar i Bashkimit Evropian.

Sipas “Politiko” një tjetër kandidate për krah të djathtë të Mark Rutte është edhe ish-zëvendëskryeministrja dhe komisionerja e BE-së nga Bullgaria, Maria Gabriel.

“Ndoshta pozicioni do t’i takojë një gruaje nga Evropa Lindore. Jo vetëm për shkak të presionit publik për një zgjidhje të tillë për një Sekretar të përgjithshëm në vend të Rutte”, deklaroi ish-zëdhënësja e NATO-s Oana Lungescu tha për “Politiko”.

Shekerinska nuk pranoi të komentonte, ndërsa Gabriel nuk iu përgjigj fare telefonatave nga “Politiko”.

Në tekst thuhet se Maqedonia e Veriut u bë pjesë e NATO-s katër vjet më parë dhe se Shekerinska kishte një nga rolet kryesore në anëtarësimin e saj. Shekerinska properëndimore është aktualisht nënkryetare e Partisë së Socialistëve Evropianë. Në një intervistë pas pushtimit rus të Ukrainës ajo e hodhi poshtë pretendimin e Rusisë se zgjerimi i NATO-s drejt lindjes ishte një “plan i keq i Perëndimit”, përcjell “Politiko”.

Majda Ruge, bashkëpunëtore në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, e konsideron Shekerinskën si një kandidate ideale.

“Për (Zëvendës-sekretarin e përgjithshëm, n.z.) e radhës, NATO do ketë nevojë për një person me përvojë, i cili është shumë kompetent, ka guxim, mendon me zgjuarsi për Rusinë dhe i kupton sfidat në Ballkanin Perëndimor. Radmilla Shekerinska përputhet në mënyrë të përkryer në këtë profil”, tha Ruge, e cila është eksperte për rajonin e Ballkanit.

“Politiko” shton se delegacioni i Maqedonisë dhe i Bullgarisë në NATO nuk i komentojnë informacionet për kandidaturat, por nuk i komenton as NATO-ja.

Bullgaria është në qendër të vëmendjes për shkak të lidhjeve të ngushta të elitave të saj politike me Rusinë. Në muajin prill kryeministri në largim Nikollaj Denkov, në një intervistë për Politiko paralajmëroi se “Rusia do të bëjë gjithçka që është e mundur për ta rivendosur ndikimin e saj të fortë në Bullgari”. Sofja gjithashtu ka bërë marrëveshje për ta forcuar rolin e Moskës si furnizuesi dominant me energjensë në Evropën Juglindore, pavarësisht mbështetjes së saj retorike për Ukrainën.

“Politiko” shkruan se të dy vendet ngjallin shqetësim për shkak të korrupsionit. Sipas “Transparency International” Bullgaria renditet e 67-ta në botë në Indeksin e saj të Perceptimit të Korrupsionit. Maqedonia e Veriut, nga ana tjetër, renditet e 76-ta.

Dhe ndërkohë që dy politikanet nga Ballkani konsiderohen si të preferuara, ka edhe të tjerë që po i prezantohen Rutes. Sipas një zyrtari të lartë anonim letonez, ish-kryeministri letonez Kristianis Karis, i cili dikur kishte ambicie për postin e Rutte, tani po konkurron për të qenë zëvendësi i tij.

Sipas dy diplomatëve të NATO-s, Polonia dhe Turqia, të dyja me kapacitete serioze ushtarake, po konsiderojnë të ofrojnë kandidatët e tyre. Por, Polonia është e ngarkuar nga konflikti i brendshëm mes presidentit Andrzej Duda dhe kryeministrit Donald Tusk.

Përndryshe, para fillimit të mandatit të tij të ri si kreu i NATO-s, Mark Rutte tashmë po i shqyrton këto disa biografi. Zëvendës sekretari i përgjithshëm aktual, Mircea Geoana, i cili e kryen këtë funksion që nga viti 2019, pritet të tërhiqet që të kandidojë në zgjedhjet presidenciale rumune në nëntor të këtij viti.

Rutte do të marrë drejtimin e NATO-s më 2 tetor të këtij viti, në një kohë kur aleanca po synon drejt një misioni urgjent për ta mbështetur krahun e saj lindor për ta parandaluar agresionin e mundshëm rus. Gjermania, për shembull, vlerëson se Rusia mund të jetë e gatshme t’i sulmojë ushtarakisht vendet e NATO-s për pesë deri në tetë vjet, nëse vendos ta bëjë një gjë të tillë.

Kjo e bën të rëndësishme njohjen e të thellë të “Kremlinologjisë” kur bëhet fjalë për zgjedhjen e zëvendësit të Ruttes. Në tekstin e “Politiko” theksohet se biseda në selinë e NATO-s ka në fokus dy ish-zyrtaret nga Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria.

Sipas ish-zëdhënëses së NATO-s, Oana Lungesku, roli i zëvendës sekretarit të përgjithshëm dekadës së fundit ka fituar një rëndësi më të madhe. Roli kryesor i mbajtësit të postit është të përfaqësojë shefin dhe të kryesojë me takimet dy javore të tridhjetë e dy ambasadorëve në Këshillin Veriatlantik ose çdo takim urgjent, duke përfshirë këtu edhe Këshillin NATO-Ukrainë.

Në maj të vitit 2021, kur shefi i NATO-s Jens Stoltenberg u diagnostikua me Covid, Zëvendës sekretari aktual i përgjithshëm Mircea Geoana krysoi një takim jozyrtar të ministrave të jashtëm të NATO-s në Berlin.

Radmilla Shekerinska ka lindur në vitin 1972 në Shkup. Ka diplomuar në Fakultetin e Inxhinierisë Elektroteknike në UKM në vitin 1995 dhe ka magjistruar në shkollën prestigjioze Fletcher për Diplomaci dhe Drejtësi në SHBA në vitin 2007. Nga viti 2002 deri në vitin 2006 ajo ka qenë zëvendëskryeministre për integrimet evropiane gjatë periudhës kur vendi aplikoi dhe mori statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Nga viti 2017 deri në vitin 2022 ajo ishte ministre e mbrojtjes (deri në vitin 2020 edhe zëvendëskryeministre) gjatë periudhës kur Maqedonia e Veriut u bë anëtare e NATO-s.

NATONATO - Maqedoni