Politikanët duhet të zvogëlojnë retorikën e dëmshme që është e pranishme dhe e transmetuar në media, thanë ata në prezantimin e sotëm të hulumtimit “Matja e Narrativave të Dëmshme Politike (HARM-NA)” nga Instituti për Studime të Komunikimit (ICS) për deputetët, i cili u organizua nga Komisioni për sistemin politik dhe marrëdhëniet ndërmjet bashkësive në Kuvend, raporton SDK, përcjell Portalb.mk.
Politikanët duhet të praktikojnë komunikim etik, transparent dhe profesional, të bazuar në fakte, jo në manipulime dhe shprehje fyese. Megjithatë, monitorimi nëntëmujor i narrativave të dëmshme të partive politike, i analizuar në periudhën nga shtatori 2023 deri në maj 2024 dhe mënyra se si ato transmetohen në televizion dhe në median online, tregon se e kundërta është e vërtetë.
“Diskutimi i sotëm është një thirrje për përgjegjësi, veçanërisht kur i afrohemi një cikli të ri zgjedhor, zgjedhjeve lokale”, tha Bojan Georgievski, anëtar i ekipit kërkimor të ICS.
Sipas tij, ajo që është e re në këtë temë është se këto narrativa tani, ndryshe nga më parë, po përhapen më shpejt, duke u shfaqur në forma më delikate dhe të sofistikuara, dhe po bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u njohur, si për qytetarët ashtu edhe për institucionet.
Eleonora Serafimovska, anëtare e ekipit kërkimor, prezantoi në detaje gjetjet kryesore mbi shkeljet e standardeve të komunikimit etik politik dhe vuri në dukje narrativat më të zakonshme të dëmshme në komunikimin e partive politike dhe udhëheqësve të tyre, të cilat po dëmtojnë besimin në institucione, po përzgjedhin në mënyrë të njëanshme faktet, po sulmojnë dhe po demonizojnë personalisht dhe po nxisin përçarje.
Kujtojmë se, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi ka njoftuar se zgjedhjet lokale pritet të shpallen në gjysmën e parë të muajit gusht. Të njëjtat pritet të mbahen në tetor 2025.
Presidentja e Maqedonisë së Veriut pritet që së shpejti t’i shpallë zgjedhjet lokale. Të qarta janë datat, por jo edhe rregullat sa i përket ndryshimeve të Kodit Zgjedhor për të cilat partitë politike janë bërë lëmsh sepse duhet të votohen me shumicë Badinteri. Propozim-ligjin e parë ua rrëzoi Gjykata Kushtetuese.