MPB njoftoi se ka zbardhur rastin rastin e vrasjes në Çarshinë e Shkupit. Zyrtarët e policisë nga SPB Shkup, bazuar në urdhra nga një prokuror publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup, ndërmorën disa veprime për të siguruar prova që sqaruan plotësisht incidentin që ndodhi gjatë natës së Vitit të Ri para një objekti hotelerik në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, në të cilin u vra me një objekt të mprehtë A.M.D. (22) nga Turqia, ndërsa Ç.E. (23) nga Turqia u plagos, transmeton Portalb.mk.
“Bazuar në provat e siguruara, Ministria e Brendshme sot ngriti kallëzim penal kundër M.T. (25) nga Republika e Turqisë me banim në Tetovë, sepse ekziston dyshimi i bazuar se ai është kryerës i veprës penale – Vrasje sipas nenit 123, si dhe një vepre penale – Tentativë Vrasjeje, pra sipas nenit 123 në lidhje me nenin 19 të Kodit Penal.
Në kuadër të veprimeve të ndërmarra, prokurori publik urdhëroi autopsinë e të ndjerit, u mblodhën gjurmë për ekspertizë, u kryen intervista me disa persona, si dhe u siguruan pamje nga kamerat e sigurisë me anë të të cilave u identifikua i dyshuari”, thonë nga MPB.
Përndryshe, M.T. natën kritike në një kafene në Çarshi filloi grindje me A.M.D. dhe Ç.E., pas së cilës dy të dëmtuarit së bashku me persona të tjerë dolën në shesh. Megjithatë, meqenëse nuk arritën të gjenin taksi, u kthyen në Çarshi dhe kaluan pranë të njëjtës kafene. Kur u takuan përsëri me të dyshuarin, grindja vazhdoi, dhe M.T. nxori një thikë me të cilën i shkaktoi katër goditje në gjoks dhe në zemër viktimës Ahmet Mert Dogan, i cili vdiq në vend. Me një goditje i shkaktoi lëndime trupore – një plagë në shpinë Ç.E., me qëllim që ta privonte edhe nga jeta, pas së cilës u largua nga vendi i ngjarjes.
Përmes operacioneve të kërkimit, autoritetet hetuese mësuan se i dyshuari ndodhej në Kosovë, ku ishte privuar nga liria nga autoritetet e Kosovës, prandaj prokurori publik i paraqiti një propozim Gjykatës Themelore Penale në Shkup për caktimin e masës së paraburgimit në mungesë, në bazë të së cilës do të fillohet menjëherë procedura e ekstradimit.
Përndryshe paraprakisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, përkatësisht njësiti i saj FAST, kanë identifikuar dhe arrestuar një të dyshuar i kërkuar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut. Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, aludohet se bëhet fjalë për personin e arratisur, i cili është përfshirë në vrasjen në Çarshinë e Shkupit
“Sot me datë 02.01.2026 rreth orës 00:30, zyrtarët policorë nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në bashkëpunim dhe koordinim me njësitet e Policisë Kufitare, kanë bërë identifikimin dhe arrestimin e personit të dyshuar, shtetas turk, i kërkuar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut për veprën penale ‘Vrasje’ e ndodhur një ditë me herët në qytetin e Shkupit. Me urdhër të prokurorit personi i arrestuari dërgohet në ndalim policor për 48 orë, për të vazhduar me procedurat tjera ligjore”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se në natën e Vitit të Ri, një person mbeti i vrarë, ndërsa një tjetër pësoi lëndime të rënda trupore në një incident që ndodhi në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, konfirmoi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski. Sipas tij, viktima është shtetas turk dhe vepra penale është kryer me mjet të mprehtë.
“Kemi një person të vdekur dhe një person me lëndime të rënda trupore. Si vrasja ashtu edhe lëndimi i rëndë trupor janë kryer me thikë. Ka persona të dyshuar, por për momentin nuk mund të jap më shumë detaje, pasi njëri prej tyre është në arrati,” deklaroi Toshkovski.