Policia e Kosovës ka arrestuar një shtetas të RMV-së gjatë tentativës për kontrabandë, ka dashur të ikë dhe ka bërë aksident

Një shtetas i Maqedonisë së Veriut është arrestuar në kufirin Kosovë-Maqedoni, në vendkalimin “Gjeneral Jankoviq” – “Bllacë”, pasi ka tentuar të kontrabandojë këpucë dhe rroba,transmeton Portalb.mk.

Personi Z.A., i moshës rreth 40 vjeç, me veturë me targa të Maqedonisë ka tentuar të kalojë kufirin në mënyrë të paligjshme, por pasi ka parë se është vërejtur nga patrullat e policisë kufitare ka filluar të ikë në drejtim të territorit të Maqedonisë së Veriut, duke shkaktuar aksident trafiku me dëme materiale.

“Në atarin e fshatit Seqishtë, në afërsi të vendkalimit ‘Gjeneral Jankoviq’ është vërejtur një veturë e dyshimtë duke tentuar të kalojë kufirin. Menjëherë u morën masa për ndalimin e tij. Në tentativë për të ikur në drejtim të territorit të Maqedonisë së Veriut është shkaktuar një aksident trafiku me dëme materiale”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Pasi policia ka nxjerrë veturën, siç raportojnë mediat kosovare, në të janë gjetur 120 palë këpucë (atlete) dhe 260 palë veshje (duksa dhe trenerka)

I dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa malli i kontrabanduar është konfiskuar.

Sipas informacioneve të policisë së Kosovës, qëllimi ishte që përmes rrugëve ilegale malore të kontrabandohej mallra që do të hynte në Maqedoninë e Veriut nga territori i Kosovës.

Kontrabandë me mallraMaqedonia e Veriut RMVPolicia e Kosovës