Dy trafostacione në Tetovë kanë rënë nga sistemi para dy ditësh. Përderisa defekti u sanua shpejt në njërin, trafostacioni i dytë pësoi dëme të mëdha, për shkak të të cilit pjesë të Tetovës në zonën e shkollës fillore “Andrea Saveski-Kikish” mbetën pa energji elektrike për 30 orë. Defekti në këtë trafostacion është rregulluar vetëm dje rreth orës 18:30, transmeton Portalb.mk.
“Për shkak të ndërprerjes së një blloku të tensionit të mesëm, të mërkurën pa rrymë kanë mbetur trafostacionet ‘Kikish’ dhe ‘Tetova 1’. Ekipet e Elektrodistribucisë kanë intervenuar menjëherë në terren dhe për një kohë të shkurtër kanë normalizuar furnizimin me energji elektrike në trafostacionin “Tetova 1”, ndërsa rehabilitimi i trafostacionit tjetër ka zgjatur më shumë për shkak të dëmtimeve të rënda që kanë ndodhur si pasojë e ndërprerjes” njoftoi EVN Elektrodistribucija.
Duke qenë se një pjesë e qytetit ka mbetur pa energji elektrike për 30 orë, disa nga banorët e kësaj zone janë ankuar se kanë pësuar dëmtime, veçanërisht në ngrirësit në të cilët ruajnë ushqimet.