Përvetësuan mbi dy milionë euro nga institucionet shtetërore dhe komunat, MPB me detaje mbi aksionin

Tre persona janë arrestuar, ndërsa janë ngritur kallëzime penale ndaj gjashtë personave fizikë dhe tre personave juridikë, si rezultat i aksionit të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) kundër një grupi kriminal, i cili përmes manipulimeve dhe falsifikimit të raporteve gjatë arkëtimit të tarifave për regjistrimin e automjeteve ka përvetësuar mbi dy milionë euro, transmeton Portalb.mk.

Në aksion janë arrestuar pronari i një kompanie nga fshati Kuçevishte, një anëtar joekzekutiv i bordit të drejtorëve të një shoqërie brokerimi sigurimesh dhe dy persona të tjerë, të dyshuar se kanë marrë pjesë në skemën kriminale si anëtarë ekzekutivë të shoqërisë së brokerimit.

Sa u përket tre personave të tjerë ndaj të cilëve është ngritur kallëzim penal, njëri është i punësuar në një stacion për kontroll teknik të automjeteve në Kuçevishte, njëra është e punësuar në Ndërmarrjen Publike për Rrugët Shtetërore (NPRrS), ndërsa tjetri është i punësuar në një shoqëri për shërbime kontabiliteti.

Veprat penale për të cilat dyshohen janë përvetësimi në shërbim, pastrimi i parave dhe të ardhurave të tjera nga vepra penale, si dhe punë e papërgjegjshme në shërbim.

Veprat janë kryer në periudhën nga viti 2021 deri në fillim të vitit 2026, duke përpiluar, dorëzuar dhe miratuar raporte të falsifikuara për tarifat e arkëtuara gjatë regjistrimit të automjeteve. Raportet i janë dorëzuar Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore (NPRrS), Kryqit të Kuq, Këshillit Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor (KRSKR), Ministrisë së Mjedisit dhe komunave, ndërsa në to ishin fshehur mjete nga tarifat e arkëtuara.

I dyshuari i parë në këtë rast është 49-vjeçari S. S., pronar i kompanisë nga Kuçevishte, e cila që nga viti 2011 kishte autorizim për kryerjen e kontrollit teknik të automjeteve.

“Në periudhën nga 01.01.2021 deri më 20.01.2026, me qëllim që për vete të përfitojë në mënyrë të kundërligjshme pasuri në vlerë prej 138.877.419 denarësh (rreth 2,2 milionë euro), ka përpiluar dhe dorëzuar raporte të falsifikuara për tarifat e arkëtuara gjatë regjistrimit të automjeteve në Ndërmarrjen Publike për Rrugët Shtetërore, Kryqin e Kuq, Këshillin Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor, Ministrinë e Mjedisit dhe komunat. Gjatë përpilimit të raporteve dhe falsifikimit të të dhënave, S. S. ka vepruar së bashku me D. M., i cili ishte i autorizuar për përpilimin dhe nënshkrimin e faturave dhe dorëzimin e raporteve te institucionet kompetente”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Fshehja e mjeteve financiare, sipas përshkrimit të mënyrës së funksionimit të të dyshuarve, bëhej përmes një shoqërie brokerimi sigurimesh. Edhe pse sipas ligjit në llogarinë e shoqërisë duhej të arkëtohej vetëm polica e sigurimit, në këtë rast në llogarinë e saj arkëtoheshin edhe tarifat e parapara për regjistrimin e automjeteve.

Të dyshuarit e dytë dhe të tretë, Sh. S. (29) dhe Z. Gj. (58), si anëtarë ekzekutivë të bordit të drejtorëve të shoqërisë së brokerimit dhe persona të autorizuar gjatë periudhës kritike, ndonëse e dinin se të ardhurat vinin nga arkëtimi i tarifave dhe jo nga sigurimet, së bashku me S. S., si anëtar joekzekutiv i bordit, e kanë fshehur origjinën e parave.

Këtë e kanë bërë duke transferuar paratë nga njëra llogari në tjetrën të kompanive të ndryshme dhe duke i përzier me të ardhurat nga veprimtaria e rregullt, mbi baza të ndryshme, kryesisht përmes huave. Qëllimi ishte që me mjetet e përfituara në mënyrë kriminale të bliheshin prona të paluajtshme në favor të kompanisë së të dyshuarit të parë.

E dyshuara T. M. (64) akuzohet se, si ndihmësdrejtoreshë për financa në Ndërmarrjen Publike për Rrugët Shtetërore, i ka mundësuar të dyshuarit të parë të përfitojë në mënyrë të kundërligjshme 48.434.406 denarë (rreth 788.000 euro) në bazë të tarifës rrugore.

“T. M., në cilësinë e ndihmësdrejtoreshës për financa në Ndërmarrjen Publike për Rrugët Shtetërore, ndonëse kishte detyrimin të ndiqte tarifën e paguar dhe të kontrollonte raportet e dorëzuara, përkatësisht të krahasonte mjetet e arkëtuara me tarifat e llogaritura në raportet mbi bazën e të cilave paguheshin faturat për komisionin për shërbimin e kryer ndaj personit juridik, si dhe të kërkonte arkëtimin në kohë të tarifës së raportuar nga diferencat e konstatuara, nuk ka kryer mbikëqyrjen e duhur dhe e ka informuar D. M. për shumën e arkëtuar në llogarinë e NPRrS-së, në vend që personi juridik nga fshati Kuçevishte t’u dorëzonte atyre raporte mujore”, thuhet në njoftim.

Dyzetvjeçari M. D., si i punësuar në një shoqëri për shërbime kontabiliteti në Shkup dhe kontabilist i autorizuar, në dokumentacion ka evidentuar të dhëna të pavërteta që dallonin nga dokumentacioni real i veprimtarisë. Gjithashtu, ai ka dorëzuar deklarata tatimore dhe bilance vjetore që nuk pasqyronin gjendjen reale financiare të kompanisë nga Kuçevishte.

“Me veprimet e lartpërmendura, personat kanë përfituar pasuri dhe mjete financiare në vlerë prej 138.877.419 denarësh (2.258.169 euro), në dëm të Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, përkatësisht në dëm të Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore në vlerë prej 48.434.406 denarësh, Kryqit të Kuq në vlerë prej 1.485.926 denarësh, Ministrisë së Mjedisit në vlerë prej 5.585.098 denarësh, si dhe Buxhetit dhe taksës komunale të komunave në vlerë prej 83.371.988 denarësh”, informojnë nga MPB-ja.

Ndryshe, aksioni është realizuar gjatë ditës së djeshme dhe të sotme nga Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë pranë MPB-së, në koordinim me Njësinë për Dislokim të Shpejtë, nën drejtimin e Prokurorisë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PPO për KOKK).

Sipas MPB-së, gjatë kontrolleve të kryera në disa lokacione, përveç arrestimit të tre të dyshuarve, janë sekuestruar 27.735 euro, 38.500 denarë, 750 franga zvicerane dhe 100 dollarë, disa telefona celularë dhe dy automjete.

Aksion policorMinistria e Punëve të Brendshme (MPB)