Përshpirtje për Kreshnikun

Pasi nuk pata mundësi të isha në takimin përkujtimor për nder të Kreshnik Ajdinit, që u mbajt në Shkup, e ndjeva si detyrim moral ta përkujtoja me këtë shkrim modest mikun tim me vlera të çmuara njerëzore, intelektuale dhe civile.

Kreshniku ishte i sinqertë, i fisëm, i qetë, i dashur, mendjehapur, shpirtgjerë, shpirtlirë, me energji pozitive e motivuese dhe model qytetarie jo vetëm për shoqërinë tonë, por edhe për shoqëritë më të qytetëruara të botës.

Si gazetar ai ishte profesionisti mendjemprehtë, korrekt, parimor dhe i ndershëm. Si përkthyes kishte kulturë të gjerë, ishte fjalëkërkues, serioz dhe i përkushtuar. Si aktivist në sektorin joqeveritar, ai besoi fuqimisht në vlerat eprore të lirisë dhe të demokracisë.

Kreshniku besoi për mirëkuptimin ndërnjerëzor, ndëretnik e ndërkulturor, madje edhe në kohën kur autoritetet politike e bënin të kundërtën, sepse ndarjet në kësi bazash janë të leverdishme për politikanët që, pasi nuk kanë ide dhe vizione, luajnë me ndjenjat e njerëzve për përfitime mediokre.

I takojmë të njëjtit brez. Një brez i humbur, brez i udhëkryqit, që nuk u ekzaltua nga parullat e gatuara me brumin e banalitetit dhe as nuk u mahnit nga shfaqjet populiste që e trazojnë turmën. Sepse çdo njeri që udhëhiqet nga motivi për ta parë shoqërinë dhe botën sa më të mirë, për asgjë nuk i detyrohet turmës, kësaj makinerie shkatërrimtare që lë pas vetëm rrënoja dhe shkatërrim.

Ndoshta besuam dhe ëndërruam më shumë seç duhej, por kryesorja i besuam ëndrrës sonë për një botë sa më të bukur, sa më të mirë dhe sa më të fisme. Së paku provuam dhe nuk lejuam të bëheshim makina të dirigjuara nga të tjerët.

“Të jetosh nuk do të thotë të marrësh frymë, por të veprosh”. Është kjo një thënie që i shkon veprimtarisë jetësore, intelektuale dhe qytetare të Kreshnik Ajdinit, i cili i meriton fjalët më të mira dhe më të përzemërta, jo pse sot nuk është në mesin tonë, por sepse ishte Njeriu i mirë dhe i përzemërt; ishte model qytetarie e kulture; ishte model që i duhet shoqërisë sonë të ngulfatur nga skemat e mërzitshme provinciale dhe nga tirania e frikshme e turmës.

Kreshniku e deshi kombin, gjuhën dhe kulturën e tij. Ai përktheu shumë krijime autorësh shqiptarë. Njëkohësisht nuk urrente asnjë gjuhë, kulturë dhe komb tjetër. Kjo e bën madhështor në këtë nënqiell ku ndryshe flitet dhe ndryshe mendohet e veprohet.

Kreshniku nuk e duroi hipokrizinë, sepse e dinte që vetëm e vërteta, qoftë edhe e hidhur, na bën të lirë.

Kjo ishte kauza e tij jetësore, e cila, ndonëse vizionare dhe europiane, për rrethanat tona ende është e parakohshme.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Kolumnat e PortalbitSalajdin Salihu