Për nënat shkruhet me shkronja prej fryme

Për nënat shkruhet vetëm me shkronja prej fryme. Këto shkronja m’i mësoi Nëna ime e bukur, e paqme, e fisme, krenare, e cila më nuk vuan nga asnjë sëmundje, nuk e shqetëson hipertensioni dhe diabeti. Ajo tani pushon në paqe…

E rritur në një familje të kamur, ajo kurrë nuk i dha rëndësi pasurisë. Ajo e kishte të pasur dhe të pastër shpirtin. Një fjalë e mirë e thënë për ne, asaj i vlente sa gjithë florinjtë e botës.

Prej se babai i saj i shpëtoi pushkatimit nga komunistët në çastin e fundit, ngjashëm sikurse Dostojevski, ajo nuk u besoi pushteteve dhe këtë ndjenjë e mëkoi edhe tek ne…

Nënën asnjëherë s’e kam lënduar me fjalë, por shpirtin e saj, që falte vetëm mirësi dhe përkujdesje amnore, e kam lënduar me mospraninë time.

Tani sa herë nisem në rrugë të gjatë më nuk e shoh lotin e saj ku dendësohej dhembja dhe trishtimi i botës. Se për nënat gjithmonë jemi fëmijë të pakujdesshëm, që kanë nevojë për përkujdesje amnore…

Pasi u dha lamtumirën stinëve dhe ditëve të kësaj bote, Nëna u strehua në kështjellën e ëndrrave dhe të kujtimeve. Prej aty trazon dhembje dhe lëshon kumte prej fryme. Ma bën me dije se është në botën time. Se nënat kurrë nuk ikin. Edhe nga qielli kujdesen që të jemi të kujdesshëm.

Nënat s’na lënë t’i harrojmë, edhe kur u japin lamtumirën të gjitha stinëve dhe ditëve të kësaj bote e bëhen pjesë të kujtimeve dhe të ëndrrave tona…

Në ballkon ende lulëzojnë lulet që nuk thahen kurrë, ndonëse ballkoni nuk është më dhe shtëpia e vjetër është shembur. Janë lule kujtimesh e ëndrrash. Janë lulet e nënës sime, e cila kaherë ka ikur drejt luleve të tjera.

Si fëmijë nuk i dija emrat e luleve, por të gjitha ishin lulet e Nënës sime. Lule që mbijnë njëherë dhe kurrë nuk vyshken në kopshtin e kujtesës dhe të ëndrrës. Janë lule që nuk e zbukurojnë vetëm shtëpinë, por edhe ata që i mbjellin…

Nuk mund t’i harroj as ushqimet e saj. Nuk kishin shumë mëlmesa, por kishin shije mahnitëse. Një shije e përfituar nga copëzat e shpirtit të saj të dëlirë.

Nënat na ushqejnë me copëzat e shpirtit të tyre. Çdo nënë është si nositi. Nëse nuk është e tillë, atëherë nuk mund të quhet nënë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Kolumnat e PortalbitSalajdin Salihu