Për herë të parë debat publik i kandidatëve për rektor të UT-së, mungoi Jusuf Zejneli (Video)

Për herë të parë u organizua debat publik midis kandidatëve për rektor të Universitetit të Tetovës. Debati u organizua nga Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA). Nga katër kandidatët të pranishëm ishin vetëm Bashkim Ziberi, Dervish Alimi dhe Myqereme Rusi, kandidati Jusuf Zejneli nuk u paraqit në debat, shkruan Portalb.mk.

Blendi Hodai – drejtor i FNA-së tha se Universiteti i Tetovës ka pozitë të rëndësishme në shoqërinë shqiptare andaj është e rëndësishme që të ketë debate të tilla pasi më parë nuk janë organizuar.

“Ne besojmë se zgjedhja e një rektori të aftë vizionar me plane dhe të pandikuar nga faktorët e jashtëm politik është vendimtar për rritjen dhe zhvillimin e vazhdueshëm të institucionit. Këto zgjedhje janë determinuese për të ardhmen e universitetit andaj si FNA konsiderojmë se përmes debatit mund të njihemi me planet deh strategjitë e kandidatëve për rektor”, deklaroi Blendi Hodai.

Jusuf Zejneli mungoi, siç thanë nga FNA “ai nuk e pa të arsyeshme që të përgjigjet as në emailet dhe as në thirrjet telefonike të stafit të tyre, dhe se me transparencë ai e filloi keq dhe se dera e tyre do të jetë e hapur për të për të prezantuar programin e tij deri në ditën e votimit”.

Tre kandidatët fillimisht sqaruan platformën e tyre me të cilën i futen garës për rektor.

Më pas bashkëbisedimi u fokusua në katër fusha: Cilësia dhe qasja në arsim, digjitalizimi dhe transparenca e universitetit, shkenca dhe bashkëpunimi ndërkombëtar, organizimi cilësor studentor, ku ata prezantuan planet e tyre në këtë drejtim. Interesi i të pranishmëve për të parashtruar pyetje ishte i lartë.

Debati publik me kandidatët për rektorë të Universitetit të Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

I pranishëm në debat ishte edhe gazetari i Portalbit i cili pyeti kandidatët nëse mendojnë se do të jetë transparent dhe demokratik procesi i zgjedhjes së rektorit në fund të ditës. Kështu u përgjigjën ata:

Bashkim Ziberi:

“Besojmë akoma në transparencën e gjithë këtij procesi zgjedhor. Ligji i Arsimit të Lartë dhe mënyra se si votohet na bën të besojmë që do të ketë transparencë, në të gjithë njësitë akademike ku do të bëhet votimi unë kam të drejtë të dërgoj vëzhgues dhe do ta shfrytëzoj këtë të drejtë, pjesa tjetër pastaj do të shohim kur do të ketë nevoje dhe do shohim që nuk ka transparencë edhe do prononcohemi nuk e kemi problem fare, të paktën unë nuk e kam problem fare të prononcohem për këtë pjesë. Deri tani nuk shoh elemente që do ta komprometonin në mënyrë serioze procesin e fushatës për postin e rektorit”.

Myqereme Rusi:

“Do të ketë transparencë dhe duhet të ketë, se ky universitet i askujt nuk është, është i të gjithë neve. Populli e themeloi, e ndërtuam të gjithë ne së bashku dhe do ta vazhdojmë punën krejt së bashku aty. Medoemos të ketë transparencë dhe ndërgjegjësim të të gjithëve”.

Dervish Alimi:

“Shpresoj se do të ketë, sepse jam besimtar por jam edhe realist. Nuk është në fund rezultati votat si do të dalin, është ajo që i paraprin votimeve. Ta marr guximin të them, nuk guxon struktura e vjetër të porosisë se kush është kandidati i preferuar, këtu te ne ndodh, publikisht ky është kandidati im- thotë ish rektori.. ka plotë dëshmitarë që e kanë dëgjuar me veshët e vet, nuk është problem – e drejta e tyre legjitime, por nuk e ka të drejtën të lë trashëgimtar. Në fund të fundit nuk është pronë private. Mund ta mbështesësh individualisht me shoqëri por mos e bën publike se ajo çon mesazh se këto janë zgjedhje të kurdisura dhe në fund dihet rezultati dhe nuk inkurajohen kolegët që pastaj të marrin vendim ose përgjegjësi. Vetë faktin që u ndryshua ligji neve na dha guximin, se tani i kemi shpresat te profesorët, më parë ka qenë senati por normalisht senati votimet publike edhe aty kanë shkuar njerëzit me porosi, duhet ta lëmë atë mentalitetin e sundimtarit. Askush nuk është i pazëvendësueshëm, të gjithë jemi të barabartë para ligjit, pus kjo puna e rektorit nuk është diçka se kemi ndonjë pushtet të madh, ne jemi menaxhues të punëve si kryhen obligimet pedagogjike, të penalizojmë ata që nuk marrin përgjegjësi t’i kryejnë edhe të stimulojmë ata që duan të bëjnë punime shkencore. Sidoqoftë të jetë rezultati, mjafton që ne morëm guxim, edhe guximin tonë e reflektojmë te kolegët që edhe ata të marrin guximin e tyre të marrin vendime që janë për të mirën e tyre dhe të universitetit, jo të lejohet dikush tjetër të vendos për ta. Të zgjedhim më të mirin sepse ai do të jetë për të gjithë ne më i miri, do na udhëheqë më mirë.. unë nuk do t’i fsheh skandalet – do kërkoj të hulumtohet… do ta penalizojmë – do kërkojmë organet të marrin masa në mënyrë që kjo mos të përsëritet”.

Portalb pyeti kandidatët nëse ata zgjidhen për rektor, a do të jenë të hapur për mediat apo do të mbyllen në zyra dhe do t’i mbyllin telefonat duke mos u përgjigjur, të tre kandidatët pohuan se telefonat dhe zyrat do t’i kenë të hapura për mediat.

Debatin e plotë mund ta ndiqni në videon e mëposhtme:

Programet e kandidatëve:

  1. Programi i punës i kandidatit për rektor nga Bashkim Ziberi;
  2. Programi i punës i kandidatit për rektor nga Dervish Alimi;
  3. Programi i punës i kandidatit për rektor nga Jusuf Zejneli;
  4. Programi i punës i kandidates për rektor nga Myqereme Rusi.

Votimi është paraparë të mbahet më 21 qershor nga ora 12 deri në ora 14, dhe rezultatet pritet të shpallen deri në fund të po kësaj dite.

Sipas statutit të UT-së, rektori e merr detyrën në fillim të vitit akademik.

Ky konkurs ishte i dyti që u publikua në periudhë brenda dy javësh, konkursi paraprak u anulua për shkak se kishte kriter shtesë për kandidatët e interesuar. Konkretisht kërkohej që kandidatët e interesuar të kishin 15 vite përvojë pune, ky kriter nuk ishte i paraparë as në Ligjin për arsim të lartë as edhe në vetë Statutin e këtij universiteti, madje i njëjti ishte favorizues për dikë ndërsa diskriminues për disa të tjerë. Ky kriter nuk ishte i vendosur në ndonjë konkurs nga universitetet publike tjera . Kjo shkelje dhe shkelje të tjera u konstatuan edhe nga inspektimi i Inspektoratit Shtetëror të Arsimit në UT. Konkursi i ri nuk e përmbante këtë element.

Ky konkurs është dashur të përfundojë dy vite më parë. Por, konkursi në vitin 2021 nuk u shpall. Ushtrues detyre i rektorit u caktua Reshat Qaili, por ai në këtë detyrë për gjashtë muaj nuk shpalli konkurs për rektor. Më pas, në këtë detyrë në maj 2022 si u.d erdhi Vullnet Ahmeti i cili nuk shpalli konkursin brenda 30 ditëve të parapara si në ligj. Ndërsa së fundmi nëntorin e vitit 2022 në këtë detyrë si u.d erdhi Kushtrim Ahmeti– u.d rektori aktual i cili njëjtë nuk publikoi shpalljen për zgjedhjen e rektorit në afat prej 30 ditëve. Këto shkelje u konstatuan edhe nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit.

Në lidhje me këtë rast që nga publikimi i konkursit paraprak, inspektimi nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit, konstatimi i shkeljeve, anulimi i konkursit dhe shpallja e konkursit të ri, lexoni analizën e hollësishme e Portalbit:

Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA)Rektor(ë)TetovaUniversiteti i Tetovës (UT)
Comments (3)
Add Comment