Për Don Kishotin shqiptar të Ali Aliut

Akademik Ali Aliu është njëri ndër personalitetet më të shquar të kulturës dhe letërsisë shqipe, i pranishëm, i dashur dhe i nderuar në gjithë Shqiptarinë. Opusi krijues i tij është shumë i gjerë dhe përfshinë vepra të shumëllojshme, por ajo që kërkohet dhe lexohet më shumë aktualisht është “Don Kishoti shqiptar”, për të cilën kanë shkruar specialistë të shquar të studimeve letrare.

Ata e konsiderojnë si një histori ndryshe të letërsisë shqipe, vepër të rrallë dhe me shumë tipare të veçanta në krahasim me studimet tjera. Ajo është përkthyer në disa gjuhë dhe është ribotuar disa herë, në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni.

Botimi i fundit nga shtëpia botuese Toena, trajton çështje të veçanta të veprave të tetëmbëdhjetë autorëve si: Jeronim de Rada, Naim Frashëri, Faik Konica, Fan Noli, Lasgush Poradeci, Ismail Kadareja, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Zija Çela, Ali Podrimja, Azem Shkreli, Xhevahir Spahiu, Luan Starova, Sabri Hamiti, Mehmet Kraja, Zejnulla Rrahmani, Kim Mehmeti.

Se për ç’vepër është fjala e sqaron më mirë vetë autori: Don Kishoti është hero gati i çdo populli në botë. Pothuajse dhe gjithë autorët shqiptarë, të shpërndarë mes Ballkanit dhe Evropës, mes Bizantit dhe Romës, mes Ballkanit dhe Perandorisë Osmane, mes traditës dhe modernitetit, kishin mbetur peng të një “donkishotizmi” specifik fare pak të njohur nga popujt e tjerë. Përpjekja për të bërë pak më shumë për historinë e tyre, duke besuar në mundësinë e pafund të imagjinatës dhe mundësitë polivalente, poliforme gjuhësore, prej këtyre autorëve do të krijojë ’donkishotistët’ e papajtueshëm, të cilët në periudha të gjera e të gjata kohore do t’ia dorëzojnë stafetën ‘donkishoteske’ njëri-tjetrit, duke besuar se jetën e tyre e kishin lidhur për kauzën e madhe: mbrojtjen e identitetit gjuhësor të popullit të tyre.

Veprën në fjalë e lindën zbërthimet e të pathënave të Servantesit nga Ali Aliu, i cili në librin “Artikuj kritikë” shkroi se në figurën e heroit monumental të gjeniut spanjoll, gjeti burimin e shqetësimeve, ëndrrave, protestës dhe zhgënjimeve njerëzore. Sipas tij, shkas për ritakimet e shpeshta me Don Kishotin, qe introdukta që shkroi Noli në vëllimin e parë të romanit të Servantesit, në të cilën e portretoi bashkë me sejmenin e tij Sanço Pançon. Për Fan Nolin, Don Kishoti qe: Fantazma e ikur nga muzeu që shëtit në Spanjën moderne. Anakronizmi ambulant. Vizionari që nuk e sheh realitetin, po ëndërron me sy të hapur. Utopisti reaksionar, që përpiqet të kthejë rrotën e historisë prapa.

Por, ndryshe prej gjithë studiuesve të tjerë, që te aventurat e Don Kishotit dhe Sanço Panços nuk panë asgjë përtej shpjegimeve të përkthyesit të veprës, Ali Aliu i lidhi ato me dramën personale dhe kolektive të Nolit dhe shqiptarëve. Sipas tij: mumd të besohet se Nolit ose iu duk ose deshi që kundërshtari i tij Ahmet Zogu t’i përngjajë Don Kishotit, sepse, shpjegon Profesori: Asokohe ishte kërkesë e domosdoshme e aktualitetit, që, edhe Don Kishoti edhe Sanço Pançoja të luajnë rolin e bejlurçinës dhe të laros që po pinin gjakun e popullit. Megjithatë, më në fund, Noli pranon se: Don Kishoti është idealist që shkrihet për t’i bërë mirë njerëzimit. Aventurat i ndërmerr për të mirë të njerëzimit dhe për të mirën e vet.

Kjo përputhet me bindjen e Ali Aliut, sipas të cilit: Jeta e Don Kishotit, pasi të kemi dalë në fund të aventurës së tij, duket si bredhja e një idealisti altruist që pasi ka vënë në shërbim dhe ka sprovuar tërë fuqinë dhe urtinë për ndreqjen e botës, kthehet prap atje ku ka qenë dhe nga është nisur në fillim, plotësisht i kthjelltë dhe i vetëdijshëm për pamundësinë e vet definitive.

Kaq mjafton për ta kuptuar se objekt i studimit atipik të Profesor Aliut janë copëzat e donkishotizmit, të cilat i zbulon në librat e ajkës së krijuesve shqiptarë, ashtu siç nuk i kanë gjurmuar të tjerët.

Ja disa shembuj të shkëputur nga vepra në fjalë:

Jeronim De Rada besonte se këngët popullore arbëreshe ishin copëza të një poeme të lashtë dhe të ngjashme me eposet e Homerit. Don Kishoti kalabrez synoi shpëtimin e gjuhës stërgjyshore nga harresa, sepse për të, baza e gjithë dijeve është gjuha, që mban gjallë identitetin e popullit.

Naim Frashëri u përpoq t’u sjellë dritë shqiptarëve, me besimin se do të bëhet Shqipëria dhe do të zgjohen shpresat e bashkëvendësve për t’u çliruar nga diskontinuiteti i shekujve të humbur.

Fan Noli u aktivizua në jetën shoqërore e politike në rrethana tejet dramatike, duke synuar pajtimin e kundërthënieve të vjetra dhe evoluimin e identitetit të shqiptarëve të shpërndarë në vendet tjera ballkanike, që u takonin tri besimeve abrahamike.

Faik Konica iu përkushtua si askush tjetër luftës për zhvillimin, begatimin dhe standarizimin e gjuhës shqipe. Për këtë qëllim u shpalli luftë gjuhëvë artificiale, nëpërmjet esesë “Mbi gjuhët e natyrshme dhe të sendërgjuara” dhe nëpërmjet shkrimeve të tjera eseistike e publicistike.

Lasgush Poradeci nuk bëri kompromise me idealet poetike, duke jetuar si asket gjatë kohes së monizmit. Ai me qetësi e durim çante përtej harresës, përtej vdekjes së shqiptuar.

Fatos Arapi, i zhgënjyer nga rrethanat në Ballkan, në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, priste me trishtim kohën e shqiptarëve, gjë që kuptohet nga fryma e poezive të asaj kohe, nga iluzionet poetike donkishoteske.

Një studiues si Ali Aliu nuk mund të mos e gjente Don Kishotin edhe tek Ismail Kadareja, për të cilin thotë: Edhe pse që moti e ka kaluar madhështinë e çmimit Nobël, vazhdon gjithnjë si “donkishot” i pandaluar, ta pasurojë dhe përsosë projektin e vet romanesk… Misioni donkishotesk dhe i paparashikueshëm i Kadaresë ka qenë prej kohësh dalja nga mbyllja dhe inercia e tij, nga izolimi, përkatësisht si të futet në sferat universael të jetës.

Hapin e parë donkishotesk Azem Shkreli e bëri në bankat e normales, përmes kryeheroit të romanit “Karvani i bardhë”, Dyl Mehmetit. Për veprën në fjalë Ali Aliu thotë: Romani nuk arriti t’i japë udhë konfliktit te brendshëm tragjik të kohës dhe ambientit të botës shqiptare: si të ruhet profili pozitiv i Kryeheroit të romanit nga njëra anë dhe të anatemohet lufta e tij nga ana tjetër, para se të rezervohet simpatia e lexuesit, përkatësisht e autorit për të dhe të sugjerohet, të nxitet e kundërta ndaj luftës që bën Dyli.

Donkishoteske janë dhe asociacionet e Ali Podrimjes, në raport me Kosovën dhe me ars-poetikën e vet. Don Kishoti vihet në kërkim të ars-pietikës së vet, në kërkim të botës së përsosur dhe harmonike, hendeqet dhe mullinjtë e së cilës, legjionet armiqësore dëshiron t’i mposhtë me shigjetën e vet. Jo rastësisht, në veprën eseistike “Ëndrra kallëzohet në mëngjes”, qërron hesapet me maskarenjtë e historisë më të re kosovare.

Luan Starova është Don Kishot atipik, njësoj si jeta dhe krijimtaria e tij. I shpërngulur nga Pogradeci në moshën 3 vjeçare dhe i vedosur në një ambient të huaj, në një lagje shkupjane me maqedonas, Luani nisi aventurën e kërkimit të identitetit dhe rrënjëve të familjes gjatë sh. XIX dhe XX, të cilin e sfodoi në rrethana dhe në kontekste fare të veçanta dhe specifike.

Njëri prej donkishotëve letrarë të shekullit të XX është Xhevahir Spahiu, për të cilin Aliu shkroi: Poeti i formatit të madh…, më shfaqet në ecje të shpejtuar, thuaja në vrap, për diku. Mbase vrapthi për në një cak të rëndësishëm, ku pritet ardhja e tij, ardhja që s’guxon të mënojë – për të ndrequr diç të pandreqshme, cak ku pritet shpata e tij poetike për të shpëtuar njeriun…

Besoj se nga e sipërthëna kuptohet se janë njohuritë e thella, të plota dhe të përpikta për letërsinë ato që i japin siguri të plotë Ali Aliut për t’u ofruar libërdashësve mundësi të reja leximi, pa cenuar të drejtën e tyre për lexime ndryshe, sepse një vepër arti komunikon me lexuesit në versione të pafundme.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Fatmir SulejmaniKolumnat e Portalbit