PDK-ja mblidhet para Qeverisë, paralajmëroi sërish letër për thirrjen e seancës konstituive

Partia Demokratike e Kosovës ka vazhduar edhe të hënën aksionin e saj para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke bllokuar hyrjen në shenjë proteste ndaj mosvazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit, shkruan Koha.net.

PDK-ja paralajmëroi se do t’i dërgojë sërish letër kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, që të thërrasë vazhdimin e seancës.

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, tha se qëllimi i aksionit është t’i kërkohet kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të kthehet në Kuvend dhe të kontribuojë në konstituimin e tij.

“Jam këtu bashkë me krejt kolegët e mi nga Partia Demokratike e Kosovës për të bërë një pyetje të vetme për deputetin Kurti, i cili ka uzurpuar pozitën e kryeministrit bashkë me ministrat e tij. Që nga dita kur e kanë dhënë betimin si deputet, jo por që nga certifikimi i rezultateve, ata qëndrojnë ilegalisht në pozicionet të cilat i ushtrojnë edhe sot, për çka dhe ne jemi mbledhur sot këtu për të mos e lejuar hyrjen e tij në zyrat e kryeministrisë”, tha ajo.

Hoxha kërkoi nga Kurti që, në vend të bllokimit të Kuvendit, të marrë pjesë në seancën konstituive dhe të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit.

“Zotëri Kurti duhet ta kuptojë që në vend se ta sabotojë Kuvendin, të vijë aty të krijojë mundësi për ta konstituuar Kuvendin. Dhe ajo është qëllimi parësor dhe puna e tij parësore që duhet ta bëjë si fitues i zgjedhjeve të fundit. Ta propozojë emrin dhe të ecim përpara në themelimin e institucioneve të legjislaturës”, tha ajo.

Sipas saj, asnjë subjekt politik nuk mund të jetë mbi shtetin dhe Kushtetutën e Kosovës.

“Për më tepër, ai sot qëndron si uzurpator në zyrat e kryeministrit bashkë me të gjithë ministrat e tij dhe një gjë duhet ta dinë edhe qytetarët dhe të gjithë të tjerët që nuk jetojnë në Kosovë, por kontribuojnë çdo ditë për Kosovën. Ai nuk mund të jetë mbi shtetin e Kosovës, partia e tij nuk mund të jetë mbi shtetin e Kosovës dhe mbi Kushtetutën e Kosovës. Andaj i bëjmë thirrje sa më parë që të kthehen në Kuvend aty ku e kemi vendin, për të nisur legjislaturën e 11 dhe për t’u kthyer në rendin kushtetues dhe në normalitet në shtetin e Kosovës. Po patjetë që po”, tha ajo.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kanë vazhduar me kërkesën për vazhdimin e seancës për konstituimin e Kuvendit, ndërsa kanë akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për bllokim të procesit. Të dielën, deputetët kanë tentuar të hyjnë në sallën e Kuvendit, por dera ka qenë e mbyllur. Ligjvënësit e këtyre partive kanë thënë se me këtë veprim, shteti po mbahet në krizë.

Edhe Aleanca paralajmëroi kallëzim penal ndaj Qeverisë

Deputeti i zgjedhur i Aleancës, Besnik Tahiri, ka akuzuar Qeverinë në detyrë për shkelje të ligjit dhe përpjekje për ta vënë administratën shtetërore në funksion të një partie politike, duke marrë vendime për themelimin e 18 komisioneve, të cilat, sipas tij, synojnë emërime në agjenci ekzekutive e qeveritare dhe në pozita publike.

Tahiri ka paralajmëruar se partia të cilës i takon do ta dërgojë në Prokurori çështjen e këtyre vendimeve të marra më 12 gusht nga qeveria në detyrë.

Ai ka akuzuar qeverinë se po merr vendime në një kohë kur është në detyrë dhe nuk ka legjitimitet të plotë për të ndërmarrë veprime të tilla.

“Me datë 12 gusht Qeveria e RKS ka marrë 18 vendime duke themeluar 18 komisione, diku-diku me njerëz të njëjtë për t’i emëruar në agjenci ekzekutive në një kohë kur kjo qeveri është në detyrë, s’ka legjitimitet, po e bllokon shtetin, kur këta ministra e shkelin ligjin për Qeverinë… Këtu ka zaptim dhe papërgjegjësi totale me funksionin publik”, ka thënë Tahiri në konferencën për media të mbajtur të hënën.

Ai theksoi se asnjë qeveri, sipas tij, nuk mund ta përdorë administratën shtetërore për interesa partiake.

Ndryshe, deri tash deputetët janë ftuar dy herë për ta konstituuar legjislaturën e dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit. Deputetët e kanë dhënë betimin, por në pikën e rendit të ditës për ta propozuar kryeparlamentarin, Kurti ka dalë në foltore dhe refuzimin për ta dhënë propozimin e ka arsyetuar me faktin që ende nuk ka marrëveshje me partitë politike për presidentin. E, sipas tij, Kuvendi nuk bën të konstituohet pa këtë marrëveshje, meqë në të kundërtën do të konsumohej edhe afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit dhe do të imponoheshin zgjedhjet e serishme të parakohshme.

Kryesuesi i seancës konstitutive të Kuvendit të Kosovës njëherësh deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari, ka bërë thirrje për dialog dhe marrëveshje mes partive, pasi sipas tij, vazhdimi i seancës konstituive pa marrëveshje mund ta tensionojë edhe më tej situatën dhe të çojë edhe në konflikt fizik brenda Kuvendit.

“Çdo përpjekje për ta vazhduar seancën pa një marrëveshje politike vetëm sa e tensionon më tej situatën dhe e rrit rrezikun e përplasjeve, madje edhe të konfliktit fizik brenda sallës së Kuvendit”, ka shkruar Dehari në Facebook.

Lëvizja Vetëvendosje, bashkë me aleatët e saj nga radhët e komuniteteve, ka mjaftueshëm vota për ta konstituuar Kuvendin e edhe për ta votuar Qeverinë. Por, për t’u zgjedhur presidenti kërkohet pjesëmarrja në votim e së paku 80 deputetëve në dy raundet e para. Në rast se zgjedhja nuk mund të bëhet brena 60 ditësh, Kuvendi shpërndahet dhe shpallen zgjedhje të reja të parakohshme.

Partitë nuk i janë afruar zhbllokimit të ngërçit politik qe gati dy vjet. Kosova është në cikël të vazhdueshëm krizash që prej zgjedhjeve të shkurtit 2025. Fillimisht pati telashe për konstituim e më pas dështimi për të formuar qeverinë çoi në zgjedhje të dhjetorit. Pas tyre pati konstituim, por nuk pati zgjidhje për presidentin e ri. Më 7 qershor pasuan zgjedhjet e reja.

AAK partiaKosovaPDK Kosovë