Padi për gjashtë inspektorë në Maqedoninë e Veriut pasi nuk i kishin dënuar tri këmbimore

Policia e Maqedonisë së Veriut ka paditur gjashtë inspektorë nga Shkupi për keqpërdorimin e detyrës zyrtare, transmeton Portalb.mk.

“Kallëzim penal kundër gjashtë personave zyrtarë-inspektorë, të punësuar në Inspektoratin Shtetëror të Tregut, edhe atë kundër S.B.(32), Ј.R.(54), V.М.(47), B.S.(46), S.S.(61) dhe R.B.(37), të gjithë nga Shkupi, për kryerjen e veprës penale “keqpërdorim i detyrës dhe autorizimit zyrtar” sipas nenit 353 të KP të RMV-së”, sqaroi Policia.

Ata vitin e kaluar kishin kryer kontrolle në tre objekte që punonin si këmbimore, përkundër asaj se nuk ishin të licencuara për këtë punë.

“Megjithatë, inspektorët e tregut kanë shkelur të gjitha dispozitat e ligjit të përmendur dhe në tre kontrolle të jashtëzakonshme të personave të gjetur në të tre objektet si këmbimore, as nuk kanë nxjerrë vendim për ndalimin e ushtrimit të veprimtarisë së paregjistruar dhe as nuk kanë vulosur ambientet ku të njëjtit kanë kryer veprimtarinë e kundërligjshme, as nuk i kanë hequr mjetet, sendet dhe pajisjet me të cilat është kryer kundërvajtja dhe nuk kanë shqiptuar gjobë nga 1.000 deri në 20.000 euro në kundërvlerë në denarë”, sqaroi Policia.

Banka Popullore e RMVInspektor(e)Inspektorati Shtetëror i Tregut RMVPolicia e Maqedonisë së Veriut