Nuk mendoj se është lapsus apo rastësi deklarata e kryeministrit. Unë mendoj se është një strategji e kryeministrit, i cili urdhëron ministrat për të nxjerrë deklarata të tilla si “balon prove”, që të normalizohet si temë dhe pastaj del me demante boshe. Kështu është deklaruar Bujar Osmani, ish kryediplomati i RMV aktualisht kandidat për kryetar në Komunën e Çairit, duke e komentuar deklaratën e ministrit të Drejtësisë, Igor Filkov se “ka ardhur koha për revidimin e mekanizmit të Badenterit” dhe deklaratën e Mickoskit se “Badenteri është çështje e mbyllur”, transmeton Portalb.mk.
“Është pjesë e strategjisë për të demontuar Marrëveshjen e Ohrit. Ajo që është tronditëse është heshtja e VLEN-it ndaj një veprimi të tillë të rrezikshëm, ndaj hapjes së këtij debati të rrezikshëm dhe qëndrimi në prehrin e VMRO-së edhe përkundër asaj se po shihet se ka plan për të demontuar MO. Shqiptarët nuk do të lejojnë demontimin e MO, nuk do lejojnë zhbërjen e statusit të tyre shtetformues dhe shndërrimin në pakicë, kthimin e majorizimit. Ky veprim na ka gjet të bashkuar, siç jemi sot, por do na gjejë të bashkuar në parandalime. I ftoj edhe qytetarët maqedonas edhe ata turk, romë e boshnjakë, që të mos lejojnë një qeveri kleptokratike, të veshur me petkun e nacionalizmit të bëjnë veprime të cilat do të rrezikojnë paqen, stabilitetin dhe perspektivën europiane të qytetarëve”, tha mes tjerash Osmani.
Sipas tij, është në kundërshtim të drejtpërdrejt edhe me urdhrin ekzekutiv të presidentit te SHBA-së, i cili e vlerëson si interes anti amerikan prekjen e MO-së.
“Dhe kjo deklaratë, që unë mendoj, është e porositur nga KM se nuk mundet ministri të jep deklaratë në kokë në vete. Është e porositur nga KM, që ai pastaj të del të demanton, por të bisedohet kjo temë dhe të normalizohet, sikur që ishte me balancuesin, me gjuhën shqipe, me mosrespektimin e vulnnetit të qytetarëve, dalë ngadalë, brenda një natë të vijë vendimi … nuk kalon. Besëlidhja, AKI është formuar për këtë qëllim. Prandaj, zgjedhjet e ardhme nuk janë vetëm zgjedhje lokale, janë referendum, për të ruajtur barazinë, Marrëveshjen e Ohrit, perspektivën europiane dhe nuk do të lejojmë të shndërrohemi në pakicë të majorizuar siç ka qenë para vitit 2001”, tha Osmani.
Kujtojmë se komenti i Bujar Osmanit është vazhdimësi e reagimeve kundër ministrit të Drejtësisë Igor Fillkov, cili sugjeroi rishikimin e shumicës së Badenterit për shkak të siç është shprehur ai, keqpërdorimit të kësaj kategorie kushtetuese.
Kryeministri Hristijan Mickoski tha se Badenteri është pjesë e Marrëveshjes Kornizë dhe nuk preket dhe se kjo është temë e mbyllur.
“Kjo është e drejtë juridike e Marrëveshjes Kornizë, ndërsa Marrëveshja Kornizë është pjesë e Kushtetutës, Marrëveshja Kornizë është përmbushur në tërësi, dhe kjo është një temë e mbyllur. Ajo çka përbënte problem ishte balancuesi. Ju e dini se kemi propozuar ligj për përfaqësim të drejtë, e cila përveç përfaqësimit etnik do të ketë edhe elemente të cilat do të vlerësohet sipas cilësisë”, tha Mickoski.