Opera dhe Baleti Nacional sonte hap sezonin e ri me një nga kryeveprat më të fuqishme “Rekuiem” nga Volfgang Amadeus Mozart

Sonte (3 tetor), duke filluar nga ora 20:00, Opera dhe Baleti Nacional në Shkup do të hapë sezonin e ri 2025/2026 me një nga kryeveprat më të fuqishme dhe emocionale në historinë e muzikës klasike – “Rekuiem” nga Volfgang Amadeus Mozart, shkruan Portalb.mk.

Nën dirigjimin e dirigjentit të shquar italian, Xhanlluka Martinengi, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë një shfaqje të jashtëzakonshme të një vepre që pasqyron gjenialitetin, thellësinë dhe forcën shpirtërore të Mozartit.

Solistët do të jenë Biljana Josifov (soprano), Nikolina Janevska (mezosoprano), Jane Dunimaglloski (tenor) dhe Vlladimir Sazdovski (bas). Së bashku me orkestrën dhe korin e Operas dhe Baletit Nacional, ata do të krijojnë një përvojë muzikore të paharrueshme që do të shënojë fillimin e sezonit të ri.

“Rekuiem” është vepra e fundit dhe e papërfunduar e Mozartit, e krijuar në muajt e fundit të jetës së tij dhe e mbështjellë me mister dhe legjenda. Vepra është një rrëfim muzikor, i mbushur me kontraste dramatike – nga momentet e qeta lutëse deri te skenat shpërthyese korale. Emocionaliteti dhe spiritualiteti i saj i thellë e çojnë audiencën nga dhimbja dhe pikëllimi në shpresë dhe përjetësi.

Kjo arritje monumentale ka magjepsur dhe frymëzuar audiencën në të gjithë botën për më shumë se dy shekuj dhe konsiderohet si një nga veprat më domethënëse dhe më të interpretuara në literaturën muzikore botërore.

Çdo notë e “Rekuiem” mban vulën e Mozartit dhe konfirmon madhështinë e tij të përjetshme muzikore, thuhet në njoftimin e OBN-së.

Kulturë lajmeOpera dhe Baleti RMV