Autoritetet ukrainase kundër korrupsionit, NABU dhe SAPO, kanë publikuar prej disa javësh incizime audio nga hetimet e tyre që kanë tronditur vendin. Në qendër të tyre janë korrupsioni dhe shpërdorimi i pushtetit. Skandali më i fundit mund të shndërrohet në një nga më të mëdhenjtë në historinë e Ukrainës. Ai ka çuar tashmë në dorëheqjen e Prokurorit të Përgjithshëm, Roman Kravçenko. Ky rast është delikat edhe për presidentin Zelensky. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky thuhet se e ka nxitur Ruslan Kravçenkon të japë dorëheqjen. Megjithatë, mbi kreun e shtetit bie edhe një hije dyshimi politik: ishte vetë Zelensky ai që vitin e kaluar e kishte propozuar 36-vjeçarin për postin e Prokurorit të Përgjithshëm.
Gjithashtu, vitin e kaluar Zelenskyj nënshkroi një ligj që synonte t’i jepte Kravçenkos edhe më shumë pushtet. Ligji parashikonte që agjencitë kundër korrupsionit të viheshin de facto nën varësinë e Prokurorit të Përgjithshëm. Vëzhguesit besonin se vetë Kravçenko kishte qenë iniciatori i këtij ligji. Ligji fillimisht u miratua, por më pas u tërhoq sërish, ndër të tjera për shkak të protestave të mijëra qytetarëve kundër tij.
Hetimit të tyre të fundit dy autoritetet ukrainase kundër korrupsionit NABU dhe SAPO i kanë vënë emrin “Kartagjena”. Ai ka të bëjë me kompani që në Ukrainë njihen si “call center”. Pas këtij emri në dukje të padëmshëm fshihet një aktivitet kriminal me përmasa të mëdha, tha për ARD-në gazetari investigativ Myhajlo Tkaç nga mediumi online Ukrainska Pravda. Kryesisht punonjës të rinj të këtyre kompanive telefononin njerëz për të përvetësuar para nga llogaritë e tyre bankare. “Ata, për shembull, shtiren si punonjës bankash”, thotë ai. Tkaç hulumton prej më shumë se tre vitesh praktika të tilla biznesi.
Rreth 60.000 persona dyshohet se punojnë për kompani të paligjshme
Sipas të dhënave të organizatës Global Initiative Against Transnational Organized Crime, në Ukrainë ekzistojnë rreth 1.000 kompani të tilla “call center”. Një raport i kësaj organizate joqeveritare, i publikuar në prill, thotë se ato janë të shpërndara në të gjithë vendin dhe se punësojnë rreth 60.000 persona. Mesatarisht, një kompani e tillë gjeneron të ardhura të paligjshme prej rreth një milion dollarësh amerikanë në muaj, thuhet në raport.
Tani, autoritetet ukrainase kundër korrupsionit dyshojnë se zyrtarë të lartë të Prokurorisë së Përgjithshme kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në këto aktivitete. Ata flasin për një “organizatë kriminale”. Një zyrtar i lartë i institucionit, i cili në incizimet audio përmendet me nofkën “Kancelari”, tanimë është arrestuar.
Incizimet duket se tregojnë edhe për një përfshirje të ish-Prokurorit të Përgjithshëm Ruslan Kravçenko. Kjo për shkak se udhëheqësi i grupit, i identifikuar me pseudonimin „Shefi”, përmendet gjithashtu si „Andrijovyç”, që është patronimi (emri i të atit) i Kravçenkos. Për më tepër, aty ka indicie se „Shefi” ka punuar më parë në administratën tatimore, ashtu si edhe Kravçenko.
Një tregues i tretë është se i ashtuquajturi „Kancelari” i ka kryer Kravçenkos edhe shërbime private, duke organizuar, për shembull, rinovimin e shtëpisë së tij.
Sipas hulumtimeve të mediumit online Ukrainska Pravda, punonjës të Prokurorisë së Përgjithshme merrnin çdo muaj ryshfet nga “call center”-at, të cilëve u garantonin mbrojtje nga ndjekja penale. Gazeta online i referohet burimeve brenda organeve të zbatimit të ligjit dhe paraqet llogaritje orientuese. Nëse vetëm 100 prej këtyre kompanive mbroheshin nga autoriteti, atëherë, sipas informacioneve të Ukrainska Pravda, mund të jenë paguar rreth 700.000 dollarë amerikanë në muaj në formë ryshfeti.
Edhe pse Kravçenko ka dhënë dorëheqjen, ai mohon çdo përfshirje në aktivitete të paligjshme.
Këto zbulime të reja janë një tronditje për shoqërinë, thotë gazetari investigativ Myhajlo Tkaç, veçanërisht në kushtet e luftës së agresionit rus kundër Ukrainës. “Ndërsa një pjesë e qytetarëve po mbrojnë vendin dhe po japin jetën në front, të tjerë, që mbajnë pozita të larta, janë duke vjedhur ose duke shpërdoruar pushtetin e tyre”, thotë ai.