OBSh për RMV-në: Largim i hershëm i nxënësve nga shkollat, vdekshmëri për shkak të lëndimeve dhe sëmundjeve malinje

Largim i hershëm i nxënësve nga shkollat, vdekshmëri e fëmijëve të moshës shkollore në Maqedoninë e Veriut për shkak të lëndimeve dhe sëmundjeve malinje, rënie numrit të nxënësve në shkolla, bullizmi dhe shumë mangësi të tjera janë vërejtur në raportin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë “Shëndeti i fëmijëve të moshës shkollore në Maqedoninë e Veriut dhe statusi i shkollave që promovojnë shëndetin”, raporton Portalb.mk.

Sipas të dhënave nga Enti Shtetëror i Statistikave të Maqedonisë së Veriut (ESHS), në fillim të vitit shkollor 2021–2022 numri i nxënësve në shkollat ​​fillore ishte 186.649, që përbën rënie prej 0,5% krahasuar me vitin paraprak shkollor. Në fillim të vitit shkollor 2021–2022, numri i nxënësve në shkollat ​​e mesme ishte 71.018, që paraqet një rënie prej 1,1% në të njëjtën periudhë.

Largimi i hershëm nga shkolla

Nxënësit që largohen nga shkolla para përfundimit të arsimit të tyre ndodh si rezultat i një kombinimi të faktorëve personalë, socialë, ekonomikë, arsimorë dhe familjarë. Nxënësit largohen para kohe nga sistemi arsimor për një sërë arsyesh që janë të veçanta për çdo individ, duke përfshirë: problemet personale ose familjare, vështirësitë shëndetësore ose emocionale, pakënaqësia me kurrikulën ose metodat e mësimdhënies, marrëdhëniet e dobëta me mësuesit ose shokët e klasës, ngacmimet, klima negative në shkollë, dhe kështu me radhë.

Megjithëse nuk ka të dhëna të sakta, mund të vërehen tendenca të caktuara në lënien e hershme të shkollës dhe disa nxënës janë më të rrezikuar, siç janë fëmijët që vijnë nga shtresa të pafavorizuara sociale (familje në të cilat anëtarët janë të papunë, familje me nivel të ulët arsimor, prindërit e vetëm, ata që jetojnë në kushte të këqija socio-ekonomike dhe familjet që migrojnë). Nxënës të tjerë në rrezik të braktisjes së hershme të shkollës vijnë nga grupe të cenueshme (për shembull, fëmijët me nevoja të veçanta arsimore (NVA) ose nënat e mitura) ose janë me prejardhje etnike rome. Ky trend është gjithashtu më i zakonshëm te djemtë sesa tek vajzat.

Shumica e treguesve arsimorë (regjistrimi në kohë, vijimi i rregullt, suksesi në shkollë, përparimi në një nivel më të lartë arsimor) janë më pak të favorshëm për popullatën rome, krahasuar me popullatën e përgjithshme. Shumë fëmijë nga ky grup i popullsisë e lënë shkollën gjatë arsimit fillor.

“Shkollat ​​ndërmarrin aktivitete të ndryshme për të mbajtur nxënësit në shkolla. Kjo kryesisht përfshin këshillimin me prindërit, por kjo nuk jep gjithmonë efektet e dëshiruara. Disa nga zgjidhjet normative e vështirësojnë ripranimin e nxënësve që janë larguar nga sistemi arsimor, si procesi kompleks dhe i kushtueshëm i nostrifikimit të dokumenteve nga jashtë dhe mungesa e udhëzimeve të qarta për kthimin e nxënësve pas shumë vitesh që nga mbarimi i shkollës. Komunat nuk mbledhin në mënyrë rutinore të dhëna për nxënësit që kanë lënë arsimin. Shkollat ​​ruajnë të dhëna për nxënësit që kanë lënë shkollën, por nuk i gjurmojnë pasi të lënë shkollën”, thuhet në raport.

Fëmijë/nxënës me nevoja të veçanta arsimore (NVA)

Nxënësit me nevoja të veçanta arsimore mund të përfshihen në shkollat ​​e mesme të zakonshme në baza të barabarta, ose të arsimohen në shkollat ​​shtetërore për nxënësit me NVA. Në vend funksionojnë 42 shkolla fillore speciale me 706 nxënës dhe 76 mësues, si dhe 4 shkolla të mesme speciale me 232 nxënës dhe 83 mësues.

Futja e arsimit gjithëpërfshirës në vend është një proces i vazhdueshëm gjatë të cilit në vazhdimësi janë bërë përshtatjet e nevojshme të komponentëve të ndryshëm të sistemit arsimor. Këto përfshijnë: Përmbajtjen edukative; ndërhyrjet në kurrikulë, strategjitë mësimore, aktivitetet dhe materialet, si dhe monitorimi i vazhdueshëm i procesit të zbatimit të ndërhyrjeve; trajnimi i mësuesve; lehtësimi i qasjeve ndaj mësimdhënies; ndryshime organizative; fushata për ndërgjegjësimin e publikut, e kështu me radhë.

Me Koncept-notën për Arsimin Gjithëpërfshirës, ​​të zhvilluar në vitin 2020 (i parashikuar në Ligjin për Arsimin Fillor), jepen udhëzime specifike dhe propozohen masa dhe strategji për heqjen e barrierave për zbatimin e arsimit gjithëpërfshirës dhe qëndrueshmërinë e tij për gjithëpërfshirjen, zhvillimin dhe edukimin e nxënësve me NVA. Këta nxënës përfshijnë: ata me aftësi të kufizuara, nxënës me çrregullime të sjelljes ose probleme emocionale ose me vështirësi specifike në të nxënë, nxënës që vijnë nga mjedise të pafavorshme socio-ekonomike, kulturore dhe/ose gjuhësisht të privuar, nxënës me nevoja komplekse, fëmijë/nxënës me shtetësi të huaj, fëmijë pa shtetësi, fëmijë refugjatë, azilkërkues, fëmijë me status refugjati të njohur, fëmijë nën mbrojtje plotësuese, fëmijë/nxënës në moshë madhore dhe fëmijë/studentë nga kategori të tjera të cenueshme, të cilët, për arsye të ndryshme, kërkojnë mbështetje dhe kujdes të veçantë gjatë procesit arsimor.

Një nga iniciativat është projekti “Be IN, be INclusive, be INcluded”, i cili synon të rrisë ndërgjegjësimin e publikut për rëndësinë e arsimit gjithëpërfshirës dhe përfshirjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara në shkollat ​​fillore, si dhe edukimin cilësor për të gjithë fëmijët.

Republika e Maqedonisë së Veriut është vend me numër të madh të të rinjve që nuk janë në arsim, punësim apo trajnim. Sipas të dhënave nga databaza e Eurostat-it e Komisionit Evropian në vitin 2021, 27.6% e të rinjve (të moshës 15-29 vjeç) nga Maqedonia e Veriut nuk ishin pjesë e sistemit arsimor, të punësuar ose në trajnim.

Vdekshmëria e fëmijëve të moshës shkollore në Maqedoninë e Veriut

Shkaktarët më të zakonshëm të vdekshmërisë te fëmijët djem të moshës 10-14 vjeç në vitin 2020 ishin lëndimet, sëmundjet malinje, sëmundjet e sistemit nervor dhe sëmundjet e sistemit të frymëmarrjes. Te vajzat e moshës 10-14 vjeç, shkaktarët më të shpeshtë ishin lëndimet, sëmundjet malinje, sëmundjet e sistemit të frymëmarrjes dhe sëmundjet infektive.

Shkaku më i zakonshëm i vdekshmërisë në grupin e moshës 14-19 vjeç, në të dyja gjinitë, ishin lëndimet, ndërsa sëmundjet malinje përfaqësonin shkakun e katërt. Të dhënat e vdekshmërisë për grupmoshat 10-14 dhe 15-19 vjeç janë marrë me kërkesë zyrtare me shkrim drejtuar ESHS-së, pasi të dhënat e disponueshme nga statistikat zyrtare ishin për grupmoshat 5-14 dhe 15-25 vjeç.

Infeksionet e rrugëve të poshtme të frymëmarrjes zënë vendin e katërt në mesin e të gjitha shkaqeve të vdekjes tek vajzat dhe të pestën në mesin e djemve të moshës 10-14 vjeç. Në të njëjtën kohë, sëmundjet infektive dhe infeksionet e frymëmarrjes renditen në vendin e pestë si shkaktar i vdekjes tek të dy gjinitë e moshës 15-19 vjeç. Sëmundjet e sistemit të frymëmarrjes, të cilat janë kryesisht për shkak të infeksioneve virale dhe bakteriale, zënë vendin e parë në mesin e arsyeve për të vizituar mjekun, veçanërisht në mesin e moshave 10-14 vjeç.

Sëmundjet infektive dhe parazitare zënë vendin e katërt midis të gjitha shkaqeve të sëmundshmërisë tek adoleshentët e moshës 10-14 vjeç (3.5% te djemtë dhe 3.8% te vajzat). Në mesin e moshave 15-19 vjeç, këto sëmundje zënë vendin e katërt tek djemt (4,0%) dhe të shtatat tek vajzat (3,8%).

Dhuna dhe shtatzënitë në adoleshencë

Në vitin 2018, 17.7% e adoleshentëve vajza dhe 18.5% e adoleshentëve djem në Maqedoninë e Veriut ishin të ekspozuar ndaj bullizmit. Gjithsej 36% e djemve dhe 15% e vajzave kanë qenë në përleshje fizike në 12 muajt e fundit. Bullizmi mund të shfaqet në disa forma: fizik, verbal, psikologjik, seksual, ekonomik dhe kibernetik.

Për sa i përket shtatzënisë dhe lindjeve tek adoleshentet, gjatë vitit 2020 shkalla e shtatzënisë t vajzat e moshës 15-19 vjeç ishte 18,9 për 1000 vajza, ndërsa lindshmëria në të njëjtën grupmoshë ishte 16,7 për 1000. E shprehur si përqindje e lindjeve totale në të njëjtin vit, 4.9% e të gjithë fëmijëve kanë lindur nga nëna nën moshën 19 vjeç. Gjithsej 99.9% e të gjitha lindjeve të grave në vend janë kryer në prani të personelit të kualifikuar shëndetësor.

Eurointegrime Negociata RMV-BENxënës të shkollave fillore - filloristëNxënës të shkollave të mesmeOrganizata Botërore Shëndetësore (OBSH)Shkolla të mesmeVdekje