Nxit reagime vdekja e papritur e dëshmitarit kryesor të “turizmit të snajperëve”

Ka vdekur papritmas dëshmitari kyç në hetimin nëse turistë të pasur kanë paguar mijëra euro për të vrarë civilë të paarmatosur gjatë rrethimit të Sarajevës në të ’90-tat. Çetniku i famshëm Sllavko Aleksiq ishte udhëheqës i njësisë paramilitare serbe të Bosnjës, raporton Koha.net.

Ai vdiq në Trebinë edhe pse raportohet se ishte në gjendje të mirë shëndetësore, sipas “The Times”.

Vdekja e tij e papritur ka ndodhur në kohën kur në Itali nisën hetimet muajin e shkuar për pretendimet se shtetas të huaj kishin paguar anëtarë të forcave serbe të Bosnjës për të qëlluar mbi civilët, në një veprim që disa e quanin si “turizëm snajperësh”.

Aleksiq 69-vjeçar pati marrë kontrollin e varrezave hebraike mbi Sarajevë. Ajo zonë përdorej nga snajperët gjatë rrethimit. E sipas avokatit serb Çedomir Stojkoviq, Aleksiq ka qenë dëshmitar kyç “sepse mund të tregonte se kush qëlloi dhe kush organizoi gjithçka”.

“Është e arsyeshme të dyshohet se vdekja e Aleksiqit është e lidhur me hetimin për safarin dhe se shërbimi inteligjent serb ka qenë i përfshirë”, ka shkruar ky avokat në X.

Muajin e shkuar, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u akuzua se ishte i përfshirë në “turizmin e snajperëve” në Sarajevë. Vuçiq ka mohuar pretendimet. Më 24 nëntor, Aleksiq dha një intervistë për një televizion në Serbi duke mohuar se Vuçiqi ka pasur gisht në këtë çështje.

Vdekja e Aleksiqit erdhi pak pas ripublikimit të videos morbide të një veture që i atribuohej atij, e në kapakun e së cilës ishte një kafkë njerëzore, që dyshohet se ishte hequr nga trupi i një viktime boshnjake.

Bosnja e HercegovinaKrime lufteSerbiaVrasje - Ekzekutim