Nobeli i Paqes shkoi për grupin japonez kundër armëve bërthamore

Çmimi Nobel për Paqe këtë vit shkoi për grupin japonez Nihon Hidankyo, organizatë e të mbijetuarve të sulmeve me bombë atomike në Hiroshima dhe Nagasaki, raporton Portalb.mk.

Komiteti Norvegjez i Nobelit ka thënë se çmimi i takon kësaj organizate për përpjekjet e saj për një botë pa armë bërthamore dhe për demonstrimin përmes dëshmive të të mbijetuarve se armët bërthamore nuk duhet të përdoren më kurrë.

Nihon Hidankyo u themelua në vitin 1956 dhe ka qenë prej kohësh një zë për të mbijetuarit e bombës atomike, duke dhënë dëshmi për tmerret e luftës bërthamore dhe duke mbrojtur eliminimin total të armëve bërthamore.

Nobeli i Paqes këtë vit u nda nën hijen e konflikteve në botë, veçanërisht në Lindjen e Mesme, Ukrainë dhe Sudan.

Ky çmim e ka vlerën e rreth 1 milionë dollarëve.

Për zhdukjen e armëve bërthamore çmimi Nobel është ndarë edhe në vitin 2017 dhe 1995.

Vitin e kaluar këtë çmim e fitoi aktivistja iraniane për të drejtat e grave Narges Mohammadi.

Ndarja e çmimeve Nobel do të përfundojë të hënën me ndarjen e çmimit në fushën e ekonomisë.

Çmimi NobelJaponia