Njëqind ditët e para

100 ditët e para të çdo qeverie janë simbolike. Është një pikë referimi ku fillojmë të shohim nëse premtimet e fushatës ishin vetëm retorikë boshe apo inicim i ndryshimit të vërtetë. Në rastin e koalicionit të udhëhequr nga VMRO-DPMNE në Maqedoninë e Veriut, i cili përfshin VLEN dhe ZNAM, tani më ka mbaruar tremujori i mjaltit dhe këto ditë po bëhet kontrolli i parë i premtimeve përkundër realitetit. Për partitë në pushtet, këto muaj të parë janë një paradë suksesi; për opozitën, janë një katastrofë. Por për qytetarin e zakonshëm?

Qeveria e kryeministrit Hristijan Mickoski erdhi në pushtet me premtimin për një “fillim të furishëm,” duke e vënë ekonominë në qendër të qeverisjes së saj. Qeveria ka premtuar reforma të guximshme, veçanërisht në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Megjithatë, pavarësisht kësaj retorike ambicioze, rezultatet konkrete ende nuk janë materializuar, dhe qytetarët po bëhen gjithnjë e më të paduruar, duke pritur ende që përfitimet e premtuara ekonomike të arrijnë tek ata.

Sa i përket politikës ndërkombëtare, diçka është më se e qartë: “Ëndrra Evropiane” mbetet ëndërr pa shumë shpresa për realizim. VMRO-DPMNE u zotua të zhvillojë një fushatë të fortë për afrimin e vendit me integrimin në BE, duke u paraqitur si të vetmit që mund të zgjidhnin këtë ngërç. Ata premtuan rinegociim të “Propozimit Francez” dhe thanë që do të angazhohen që ndryshimet kushtetuese të realizohen me afat të shtyrë dhe të hynë në fuqi në momentin kur Maqedonia e Veriut do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Megjithatë, ja ku jemi, duke parë Shqipërinë të ecë përpara me negociatat, ndërsa Maqedonia e Veriut mbetet e ngatërruar në labirintet e politikave të fqinjësisë. Pse? Sepse është diçka tjetër ajo që mendoni se mund të bëni në sferën e marrëdhënieve ndërkombëtare, dhe diçka krejtësisht tjetër realiteti që mbizotëron e me të cilin duhet të përshtateni, gjithmonë nëse ende dëshironi të jeni pjesë e Bashkimit Evropian.

Për më tepër, marrëdhëniet me Greqinë, që ishin tashmë një çështje delikate por e përmbyllur me Marrëveshjen e Prespës, janë përkeqësuar sërish. Greqia ka akuzuar qeverinë e re për injorimin e Marrëveshjes s, dhe zyrtarët grekë tani po thonë hapur se anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në BE është “i paimagjinueshëm” nëse Marrëveshja nuk respektohet.

Qeveria jonë mund të ketë dëshirë të rinegociojë “Propozimin Francez” por mesazhet që merren nga Bashkimi Evropian janë se ne duhet ti realizojmë obligimet që i kemi marrë. Në sferën e integrimeve dëshirat dhe realiteti nuk korrespondojnë gjithmonë. Dhe në fund të ditës, nuk është se dikush në Evropë shqetësohet shumë për ne që mbesim jashtë, por qeveria jonë duhet të shqetësohet që ne nuk jemi brenda Bashkimit Evropian, sepse me këtë trend, ata që do të jenë brenda BE-së do të jenë qytetarët tanë që migrojnë çdo ditë drejt perëndimit pavarësisht se shteti largohet dita ditës nga integrimi. Çdo qeveri duhet të shqetësohet për këtë trend sepse në të ardhmen nuk do të ketë me kë të qeverisë.

Qeveria e koalicionit ka arritur disa suksese, veçanërisht në fushën e reformave ekonomike. Një nga vendimet më të rëndësishme në 100 ditët e saj të para ka qenë mbyllja e platformave të lojërave të fatit online. Ky veprim, i cili erdhi pas disa vitesh debat, u pa si një hap pozitiv në frenimin e sjelljeve problematike të lojërave të fatit dhe në adresimin e paligjshmërisë në sektorin e lojërave të fatit.

Për më tepër, qeveria ka bërë përpjekje për të riorganizuar aparatin shtetëror, megjithëse ky proces ka qenë i ngadalshëm dhe, në disa raste, kaotik. Koalicioni ka fituar gjithashtu një shumicë të qëndrueshme parlamentare, duke i mundësuar të kalojë reforma më lehtë, edhe pse ato kanë qenë të kufizuara deri më tani. Kjo do të thotë se edhe ndryshmet kushtetuese mund të realizohen shumë shpejt, nëse qeveria vërtet dëshiron të kthehet në rrugën e integrimeve, në atë rruge nga e cila ishim larguar për një kohë të gjatë e te e cila mezi u kthyem, me sakrifica të mëdha. Tani rrezikojmë sërish të dalim nga ajo rrugë, kthimi tek e cila bëhet gjithmonë më i vështirë.

100 ditët e para të koalicionit VMRO-DPMNE, VLEN, dhe ZNAM kanë iniciuar mendime dhe qëndrime të kundërta lidhur me sfidat, arritjet dhe pengesat. Qeveria ka arritur të prezantojë disa reforma kyçe, veçanërisht në sferën ekonomike, por ajo nuk ka arritur përparim të dukshëm në premtimet e saj politike, veçanërisht në rrugën e integrimit në BE.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Besa ArifiKolumnat e Portalbit