Një yll i ri në letërsi, njëmbëdhjetëvjeçarja Lara Ismaili botoi librin e parë me poezi

Lara Ismaili është njëmbëdhjetëvjeçarja nga Shkupi e cila në korrik të këtij viti e botoi librin e saj me poezi “Në botën e ndjenjave të mia”. Në bisedë me Portalb.mk ajo tha se pasionin e madh për librin e shpreh përmes shkrimit, madje duke u shprehur edhe në gjuhën angleze. Mësimdhënëset e Larës thonë se është vetëm fillimi i suksesit të saj dhe se ajo në të ardhmen do të shkruajë edhe libra të tjerë.

Portalb.mk bisedoi me shkrimtaren e re të talentuar, Lara Ismaili në ambientet e shkollës ku ajo ndjek mësimin. Mes tjerash, mësuam se poeti i saj i preferuar është Naim Frashëri.

“Pasi që kur kam lexuar ndonjë poezi të tij apo ndonjë libër të tij kam parë që ka përmbledhur të gjitha tematikat si p.sh. kombëtare, për shkollë, për fenë tonë e shumë të tjera”, tha Ismaili.

Portalb.mk bisedoi edhe me lektoren e librit, Fjolla Rexhaj, ajo tha se Lara është një vajzë shumë punëtore dhe se suksesi i saj është i pritshëm,.

“Të punosh me Larën nuk është aspak e vështirë, pasi që edhe lekturimin e saj kur e kam punuar librin nuk është që kam pasur shumë punë te ai libër, ishte një libër shumë i bukur me poezi dhe nuk di cilën poezi ta veçoj pasi të gjitha ishin shumë të bukura. Nuk ka pasur nevojë të ndërhyjë aspak, pasi që ajo i ka shprehur ndjenjat e veta në atë libër aq bukur dhe aq pastër sa që vetëm e lexoja dhe ndjehesha shumë krenare me të gjitha fjalët që i kishte shkruar”, tha Rexhaj.

Përderisa bisedonim me Larën, takuam dhe kujdestaren e saj Laura Ahmeti. Ajo theksoi se ka vetëm lëvdata për Larën e cila talentin e saj e shpreh vetëm përmes shkrimit.

“Besoj që është vetëm fillimi i  suksesit të Larës sepse ajo do të vazhdojë ndoshta edhe me libra të tjera por besoj thellë në zemër se ajo do të ketë suksese edhe nëpër lëndë të tjera dhe këtë do ta shpreh në të ardhmen se ende është shumë e re e cila rrugën e ka të hapur përpara”, tha Ahmeti.

Intervistoi: Albina Ramadani

Portalb: Lara, nga e ke gjetur frymëzimin për të shkruar një libër me poezi, dhe si vendose të shkruash në dy gjuhë?
Lara: Frymëzimin e kam gjetur nga librat që kam lexuar me poezi pasi që secila poezi më ka dhënë përshtypje të madhe. Dhe vendosa të shkruaj në dy gjuhë pasi që gjuhën angleze e njoh shumë mirë mendova pse jo edhe në dy gjuhë.

Pertalb: Sa kohë ka që keni filluar të përgatiteni për botimin e librit?
Lara: Kam filluar prej në gjysmë vjetorin e parë të klasës së gjashtë, dhe më ka zgjatur rreth pesë apo gjashtë muaj.

Portalb: Përse zgjodhe poezinë?
Lara: Poezinë e zgjodha pasi që në poezi mund të shprehesh më lehtë, domethënë mund t’i shpreh ndjenjat e mia, pasi që unë kur shkruaj poezi jam krejtësisht në një botë tjetër dhe është më lehtë të shkruash emocionet e tua që i ke.

Portalb: Si është procesi yt krijues kur shkruan poezi? A ke një metodë të veçantë apo thjesht shkruan kur të vjen frymëzimi?
Lara: Nuk kam ndonjë metodë të veçantë apo të caktuar por vetëm kur më vijnë mendimet apo një ndjenjë e thellë që unë dëshiroj dhe ta shpreh me anë të shkrimit.

Portalb: A ke ndonjë poet ose autorë të preferuar që të ka ndikuar në stilin tënd të të shkruarit?
Lara: Po, është Naim Frashëri pasi që kur kam lexuar ndonjë poezi të tij apo ndonjë libër të tij kam parë që ka përmbledh të gjitha tematikat si p.sh. kombëtare, për shkollë, për fenë tonë e shumë të tjera.

Portalb: Cilat janë temat që trajton në poezitë e tua dhe pse janë të rëndësishme për ty?
Lara: Unë në librin tim jam munduar t’i përmbledh të gjitha tematikat siç janë: kombëtare, për shkollën, për familjen time, për mësimin d.m.th jam munduar t’i përmbledh të gjitha tematikat që janë të rëndësishme pasi që familja është e rëndësishme për mua.

Portalb: Si po pritet libri yt nga lexuesit dhe a ke ndonjë plan për të shkruar më shumë poezi në të ardhmen?
Lara: Unë mendoj që lexuesit e kanë pritur me shumë mirë pasi që unë jam munduar t’i shkruaj poezitë sa më bukur. Por mendoj se do të filloj të shkruaj dhe ndonjë libër tjetër me poezi ndoshta vetëm në një gjuhë me poezi, ndoshta roman d.m.th nuk do të ndalem vetëm do të vazhdoj.

Portalb: Si është mbështetja që keni marrë nga familja, shkolla dhe shoqëria për këtë arritje?
Lara: Nga familja kam pasur mbështetje shumë të madhe, po ashtu nga prindërit që më kanë përkrahur në çdo drejtim që unë kam dashur, po ashtu edhe nga shkolla dhe nga arsimtarë të ndryshëm sidomos nga arsimtarja e gjuhës shqipe Fjolla Rexhaj që kam pasur mbështetjen shumë të madhe nga ana e saj dhe e falënderoj shumë për lekturimin e librit dhe për mundin e saj. Po ashtu edhe nga arsimtarja e matematikës Nurten Rama dhe ajo çdoherë me komente pozitive më ka dhënë dhe më ka mbështetur shumë, por edhe nga kujdestarja ime Laura Ahmeti që kam pasur edhe nga ajo mbështetje shumë të madhe. I falënderoj shumë.

Portalb: Çfarë këshille do të jepnit për moshatarët tuaj që kanë pasione të ngjashme?
Lara: Që të vazhdojnë mos të ndalen nëse kanë ndonjë mendim të shkruajnë dhe ato një libër, të fillojnë ta shkruajnë mos të mendojnë që a do të munden, jo unë nuk mundem por vetëm të mendojnë në mënyrë pozitive që po unë mundem dhe unë do ta bëjë d.m.th mos të ndalen. Po ashtu edhe me guxim sepse nëse nuk ke guxim atëherë ty nuk mundesh të bësh asgjë.

CTRL Z – CTRLZLibraNxënës të shkollave fillore - filloristëPoet(e)Poezi