Pesë punonjës të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) janë akuzuar për vepra penale nën dyshimin për shpërdorim të detyrës dhe autoritetit zyrtar, transmeton Portalb.mk.
Personi i parë i akuzuar është R.E. (51) nga fshati Sllupçan, punonjës i degës së AUV-së në Kumanovë. Sipas Ministrisë së Brendshme, nga 1 dhjetori 2018 deri më 30 prill 2024, ai nuk ka ardhur fare në vendin e tij të punës si arkivist i ri, por ka marrë rregullisht pagën dhe kontributet e tij.
Dy drejtorë të AUV-së me vetëdije e kanë lejuar një praktikë të tillë.
“I pandehuri i dytë, Z.A. (59) nga Shkupi, ushtrues detyre drejtor i AUV deri më 14.12.2020, me vetëdije i lejoi të pandehurit të parë të merrte pagë dhe kontribute edhe pse ai nuk i kryente detyrat e tij të punës. I pandehuri i tretë, N.B. (61) nga Manastiri, ushtrues detyre drejtor i AUV, nga 15.12.2020 deri më 03.07.2024, lejoi vazhdimin e pagesës së pagave për R.E. i cili nuk u paraqit në punë gjatë gjithë angazhimit të tij në punë”, deklaron Ministria e Brendshme.
Padi penale është ngritur edhe kundër udhëheqësit të departamentit të financave në AUV, 59-vjeçarit A.B. nga Shkupi, i cili nga dhjetori 2018 deri në prill 2024, pa kontrolluar rregullsinë, ka nënshkruar raporte financiare dhe ka miratuar pagesën e pagave dhe kontributeve për punonjësin edhe pse ai nuk ishte në listat për prezencë.
“Personi i pestë i raportuar, S.K. (58) nga Shtipi, i punësuar si udhëheqës departamenti në Agjenci, nga dhjetori 2018 deri në prill 2024 nuk ka ndërmarrë masa për të parandaluar situatën e paligjshme në lidhje me personin e parë të raportuar”, shtoi Ministria e Brendshme.
Ministria e Brendshme thekson se me veprime të tilla, punonjësit i janë paguar në mënyrë të paligjshme 1.159.081 denarë (18.837 euro), ndërsa buxheti i shtetit është dëmtuar me një shumë prej 27.347 eurosh.