Një foshnje në Klinikën e Gjinekologjisë ia prenë një pjesë të gishtit të madh

Pas incidentit në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës (GAK), ku një foshnjeje dyditëshe gjatë heqjes së infuzionit iu pre një pjesë e gishtit të madh, “Sloboden Peçat” iu drejtua drejtorit të Klinikës për Kirurgji të Fëmijëve, doktor Lazo Jovçevski. Ai konfirmoi se ishte thirrur kirurgu i fëmijëve, doktor Lazar Todoroviq, ndërsa foshnja duhej të operohej nën anestezi, pasi gjakderdhja nuk ndalej. Tani, sipas burimeve të mediumit, foshnja e ka gishtin e madh më të shkurtër, pasi i është amputuar falanga distale e gishtit.

Rasti i rëndë është raportuar në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Shkup (GAK), ku një foshnjeje dyditëshe i është prerë një pjesë e gishtit me gërshërë.

Për rastin ka informuar babai i foshnjës, Adnan Azizi, i cili ka treguar se çfarë ka ndodhur, raporton Gazeta Shneta. Ai thotë se incidenti ka ndodhur gjatë përpjekjes për t’ia hequr infuzionin foshnjës.

“Më telefonoi bashkëshortja që të shkoja t’i merrja nga spitali. I përfunduam të gjitha dokumentet dhe, derisa po prisnim të na e sillnin vajzën, ata u përpoqën t’ia hiqnin infuzionin, i cili ishte i fiksuar me shirit ngjitës dhe fashë. Gjatë përpjekjes për ta hequr infuzionin me gërshërë, ia prenë gishtin”, deklaroi Azizi.

Nga GAK e konfirmuan rastin, duke bërë të ditur se incidenti ka ndodhur më 16 nëntor dhe se menjëherë pas konstatimit të lëndimit ishte thirrur kirurgu i fëmijëve, pas së cilës i porsalinduri ishte transferuar në repartin e kirurgjisë për trajtim të mëtejshëm. Nga klinika theksojnë se ngjarja është evidentuar dhe raportuar si incident i padëshiruar, ndërsa gjatë ditës së djeshme rasti është shqyrtuar nga Komisioni për Cilësi.

“Theksojmë se ngjarje të tilla trajtohen me shkallën më të lartë të seriozitetit dhe se nuk do të ketë tolerancë për lëshimet eventuale që mund të konstatohen gjatë trajtimit. Nëse vërtetohet përgjegjësia, do të ndërmerren masat më të rrepta në përputhje me dispozitat ligjore. Siguria e pacientëve, veçanërisht e të porsalindurve, mbetet prioriteti ynë absolut, ndërsa institucioni do të veprojë në mënyrë transparente, të përgjegjshme dhe në përputhje me procedurat e përcaktuara”, njoftuan nga GAK.

Gjithashtu, për rastin është caktuar një mbledhje e Komisionit Disiplinor, me qëllim të përcaktimit të plotë dhe objektiv të gjendjes faktike, rrethanave në të cilat ka ndodhur lëndimi dhe përcaktimit të përgjegjësisë individuale.

Foshnjë - BebeKlinika e Gjinekologjisë - Shkup