Nga të shtënat e mbrëmshme në Haraçinë është plagosur një 24 vjeçar të cilit iu dha ndihmë në spital

Një person ka mbetur i plagosur nga të shtënat që kanë ndodhur mbrëmë në fshatin Haraçinë, informuan nga MPB-ja për “360 Gradë”. I plagosuri, 24-vjeçari A.I. nga fshati Haraçinë, është transferuar në kompleksin klinik “Nënë Tereza” për t’i dhënë ndihmë mjekësore, transmeton Portalb.mk.

Nga MPB thonë se po merren masa për zbardhjen e rastit.

“Sot (28.08.2024) rreth orës 21:00, nga SPB Shkup është raportuar se në fshatin Haraçinë janë shtënë me armë zjarri në drejtim të A.I. (24) nga fshati Haraçinë, i cili ka pësuar lëndime trupore dhe është transportuar për ndihmë në kompleksin klinik “Nënë Tereza”. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Në dhjetë ditët e fundit, ky është incidenti i tretë me armë zjarri, ku njerëz janë plagosur apo vrarë.

Më 19 gusht poashtu në Haraçinë të Shkupit ka pasur të shtëna nga një veturë në lëvizje, ku një person është dërguar me lëndime në spital.

Një ditë më pas, shkëmbim zjarri ka ndodhur në parkingun mes ndërtesave të banimit dhe qendrës tregtare “Mavrovasja”, ku një person ka mbetur i vrarë pasi disa sulmues kanë qëlluar mbi të. Sipas dëshmitarëve okularë, ata morën sende nga makina e tij, përfshirë një kompjuter portativ dhe më pas u larguan.

HaraçinaMinistria e Punëve të Brendshme (MPB)