Duke filluar nga nesër dhe deri të shtunën (20, 21 dhe 22 shtator) në Tetovë do të bëhet deratizimi i planifikuar për asgjësimin e brejtësve, transmeton Portalb.mk.
Komuna e Tetovës njoftoi se deratizimi do të kryhet nga ora 9:00 deri në 16:30, vetëm në kushte të favorshme atmosferike. Nëse moti është me shi ose me erë të fortë, procesi i deratizimit do të shtyhet për një ditë tjetër me kushte të favorshme moti.
“Pas një plani të përgatitur paraprakisht për dinamikën e aktiviteteve dhe specifikimin teknik, do të vizitohen lokacionet e përcaktuara në kërkesën për mbledhjen e ofertave. Trajtimi do të bëhet në prani të përfaqësuesve të Komunës së Tetovës dhe me ndihmën e punëtorëve nga NPK Tetovë NJ.P. “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”, të cilët do të kenë përgjegjësinë për hapjen dhe mbylljen e puseteve, si dhe për të siguruar trajtimin e duhur të tyre”, informoi Komuna e Tetovës.
Nga atje kërkojnë që qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të ndjekin udhëzimet dhe masat mbrojtëse të dhëna nga autoritetet, për të garantuar shëndetin dhe sigurinë e tyre, si dhe sigurinë e kafshëve të tyre.