Zoran Lutkov, ministër i Kulturës dhe Turizmit në Maqedoninë e Veriut, tha se institucionet kulturore në Tetovë duhet të bashkohen në kuadër të Qendrës së Kulturës në Tetovë. Edhe pse ai deklarativisht thotë se Ansambli Muzikor i Tetovës nuk do të mbyllet, ajo që ai sqaron të lë të kuptosh se rruga e këtij institucioni nacional çon drejt shuarjes. Lutkov përmendi edhe Teatrin e Tetovës, duke hapur dyshime të reja se edhe këtë institucion mund ta presë fati i njëjtë me atë të Ansamblit Muzikor në rimodelimin e ri të institucioneve nacionale, shkruan Portalb.mk.
Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov, në emisionin “Impakt” në TV Shenja, kritikoi numrin e madh të institucioneve kulturore në Tetovë. Lutkov tha se Tetova është qyteti me më së shumti Institucione Nacionale në vend dhe, siç u shpreh ai, për arsye të funksionimit më të mirë, disa institucione duhet të bashkohen me institucionin nacional Qendra e Kulturës Tetovë.
“Meqë kemi Institucionin Nacional si Qendra e Kulturës Tetovë, kemi kërkuar që të gjitha institucionet kulturore në Tetovë të bashkohen me të, në mënyrë që të ketë efikasitet më të madh. Pra, këtu nuk mbyllet asnjë institucion, por do të bashkohen në kuadër të një institucioni më të madh. Kur keni një Qendër të Kulturës, dihet se ajo do të përfshijë në kuadër të saj muzikën, artin, teatrin, folklorin dhe departamentet e tjera. Nëse të gjitha këto i kufizojmë, atëherë nuk do të duhej të ekzistonte Qendra e Kulturës. Këto institucione më të vogla, të cilat ende nuk kanë kuadër teknik e as administratë, do të bashkohen në kuadër të Qendrës së Kulturës dhe do të kenë departamentin e tyre. Këta departamente do të jenë të pavarura, por do të qëndrojnë nën ombrellën e një Institucioni Nacional siç është Qendra e Kulturës. Ne kemi gjetur modele se si t’i bashkojmë me një institucion tjetër që të kemi kushte pune”, tha Lutkov.
Ai më tej shtoi se, sa i përket buxhetit, këto departamente do të kenë buxhetin e tyre në kuadër të Qendrës së Kulturës, ashtu siç funksionojnë edhe qendrat e kulturës në qytetet e tjera.
“Ky nuk është shembulli i vetëm, kështu funksionojnë edhe qendrat e kulturës në Shtip, Strumicë e Prilep, ku të gjitha ato kanë teatrin e tyre, ansamblin, artet e bukura dhe folklorin. Kjo nuk do të jetë risi dhe nuk duhet të ketë frikë se diçka do të jetë ndryshe. Përkundrazi, do të jetë më funksionale, duke u nisur nga shembujt e institucioneve të suksesshme, kjo do të aplikohet edhe te të tjerët”, u shpreh Lutkov.
Ai nënvizoi gjithashtu se nëse dikush ka formuar institucion nacional pa analizë dhe pa i siguruar hapësirë e kushte themelore pune, ministria po tenton ta ndryshojë këtë për t’u ofruar kushte më të mira.
Pse rrezikohet Ansambli i Tetovës?
Debati rreth Ansamblit Muzikor në Tetovë erdhi pas publikimit të Strategjisë Kombëtare për Zhvillimin e Kulturës për periudhën 2026–2030, së bashku me Planin e Veprimit.
Në dokumentin strategjik përfshihen analiza të gjendjes në fushën e kulturës për periudhën 2019–2024.
Ansambli i Tetovës përmendet në seksionin 2.1.6. “Veprimtaria muzikore dhe muzikore-skenike’.
Në dokument thuhet se në vitin 2023 u themelua Ansambli Muzikor – Tetovë i cili ka kapacitete të kufizuara hapësinore për veprim, me dy të punësuar.
“Për këtë arsye, në periudhën e ardhshme pesëvjeçare do të racionalizohet rrjeti i institucioneve kombëtare, përmes një analize të qartë të rolit dhe shtrirjes së tyre programore”, thuhet mes tjerash në strategji.
- LEXO: Ministria e Kulturës: Ansambli i Tetovës nuk do të mbyllet, do të analizohen 72 institucione të kulturës
- LEXO: E ardhmja e paqartë e Ansamblit Muzikor të Tetovës, flasin artistët: Mos lejoni mbylljen e tij
- LEXO: Ansambli Muzikor i Tetovës drejt mbylljes, çfarë po ndodh?
- LEXO: Lëmsh në ansamblet “shqiptare” në Maqedoninë e Veriut: Njëri jofunksional, tjetri mezi mbahet