Një dyqan për ushqime të shpejta në lagjen Aerodrom të Shkupit është mbyllur si masë paraprake për shkak të dyshimit për helmim me ushqim të nëntë personave, njofton Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë. Nga atje thonë se pas marrjes së njoftimit nga Qendra e Shëndetit Publik të Shkupit për nëntë raste ku dyshohet për helmim nga ushqimi, shërbimet inspektuese kanë kryer kontroll të jashtëzakonshëm në dyqanin për senduiça, transmeton Portalb.mk.
“Nga nëntë rastet e raportuara, salmonela është konfirmuar laboratorisht në pesë persona, tre persona kanë gastroenterokolit dhe një person është helmuar nga ushqimi”, tha AUV.
Gjatë kontrollit, sipas Agjencisë, në objekt është konstatuar gjendje e kënaqshme sanitaro-higjienike.
“Salcat me majonezë dhe ketchup, si dhe hamburgerët dhe biftek pule janë të prodhimit tonë dhe dërgohen në objekt me një mjet transporti të përshtatshëm. Të dhënat e praktikave të mira të higjienës dhe prodhimit mbaheshin gjithashtu rregullisht. Punonjësit ishin me libreza të rregullta sanitare”, bën të ditur agjencia.
Për përcaktimin e shkakut të infeksioneve në rastet e raportuara me simptoma të helmimit, Agjencia thotë se janë marrë pesë mostra ushqimore si majonezë, ketchup, biftek, hamburger dhe marule, katër tampona nga sipërfaqet e punës dhe pajisjet si tre mostra nga punonjësit.
“Është marrë vendim për ndalimin e përgatitjes dhe servirjes së ushqimeve deri në marrjen e rezultateve negative, si masë parandaluese për përhapjen e mundshme të infeksionit, kryerjen e kontrolleve të jashtëzakonshme sanitare, pastrimin e plotë mekanik dhe kimik”, thuhet në njoftimin e këtij institucioni.
Para dy ditësh AUV-ja informoi se pas pranimit të katër personave në Klinikën Infektive me simptoma të helmimit nga ushqimi, një gjellëtore në lagjen Vllae të Shkupit është mbyllur.
Në kushtet e temperaturave të larta, dhe rrjedhimisht rreziqeve të larta të helmimit nga ushqimi, AUV u bën thirrje operatorëve të jenë përgjegjës për respektimin e parimeve të sigurisë HACCP dhe rregullave të praktikës së mirë të prodhimit dhe higjienës.