Në Sallën koncertale të Shkollës së Muzikës në Tetovë u promovua libri “Qamili i Vogël-Këngëtari i Madh”, me autorë Sylejman Salihu dhe Salih Berisha, një botim kushtuar ikonës së muzikës qytetare shqiptare, Qamilit të Vogël, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së tij, shkruan Portalb.mk.
Ngjarja u organizua nga SHKA “Xheladin Zeqiri”-Tetovë, institucion me traditë në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë muzikore shqiptare. Promovimi mori një simbolikë të veçantë, pasi kjo shoqëri artistike ka bashkëpunuar me Qamilin e Vogël që nga fundi i viteve ’50, duke ruajtur një lidhje të hershme kulturore me artistin.
Libri sjell para lexuesit jetën dhe krijimtarinë e Qamilit të Vogël përmes dokumenteve, kujtimeve, dëshmive dhe rrëfimeve, duke hedhur dritë mbi kontributin e tij të jashtëzakonshëm në muzikën qytetare shqiptare dhe duke e paraqitur atë si një nga zërat më të dashur të këngës shqipe.
Gjatë promovimit u theksua edhe lidhja e veçantë që Qamili i Vogël kishte me Tetovën. Ai kishte qenë disa herë mysafir në qytet, duke marrë pjesë në koncerte, dasma, takime me dashamirë të muzikës dhe aktivitete kulturore, çka e bën promovimin e këtij libri një rikthim simbolik të kujtimit të tij në mesin e publikut tetovar.
Në panelin promovues morën pjesë studiues dhe njohës të muzikës e kulturës shqiptare, Bekim Ramadani, Behar Arllati dhe Sulejman Dërmaku, të cilët folën për jetën, veprën dhe trashëgiminë artistike të Qamilit të Vogël. Programi u pasurua edhe me interpretime muzikore nga Selajdin Miftari-Salushi, Azir Aziri, Nexhat Ceka dhe artistë të tjerë, të cilët sollën atmosferën e këngës qytetare shqiptare.