Protesta “Marshimi i Engjëjve” në vend të Koçanit sot u mbajt në Shkup, transmeton Portalb.mk.
Marshi filloi në orën 12:05 në sheshin “Maqedonia”, nga ku do të vazhdoi deri te Parlamenti dhe Gjykata Themelore Penale në Shkup.
“Fëmijët tanë vdiqën më 16 mars. Gjashtëdhjetë e tre fëmijë nuk do t’i shohim më kurrë. Nuk po ju kërkojmë mëshirë, po ju kërkojmë të bashkoheni me ne në luftën për drejtësi, sepse fëmijët tanë e meritojnë. Ne po marshojmë për të vërtetën. Dhimbja është e jona, por lufta është për të gjithë ne. Kemi nevojë për mbështetjen tuaj”, thanë prindërit.
Marshi u organizua nga Shoqata “16 Mars 2025” nga Koçani dhe iniciativa “Kush është i radhës”, e cila u formua menjëherë pas zjarrit në Koçani.
Marshimi i sotëm u zhvillua katër ditë para fillimit të gjyqit për këtë rast.
Zjarri në Koçan shpërtheu natën e 15-16 marsit, duke rezultuar me 63 viktima dhe duke plagosur pothuajse 200 të tjerë. Prokuroria ka ngritur akuza kundër 34 personave të cilët, nëpërmjet veprimeve ose mosveprimeve të tyre brenda sistemit, shkaktuan katastrofën. Aktakuza përfshin gjithashtu tre kompanitë e pronarit të diskotekës, i cili është i pandehuri kryesor.