Në Shkup do të hapet pikë humanitare për familjet e prekura nga zjarret

Nga sot do të hapet pikë humanitare në Shkup ku do të bëhet grumbullimi i të mirave materiale për qytetarët e prekur nga zjarret në Maqedoninë Lindore. Qytetarët do të mund të sjellin ushqime të konservuara, veshje, atlete, mobilje, dyshekë dhe të mira të tjera materiale, të cilat më pas do të çohen në rreth 30 fshatra në rreth 400 familje. Pika do të jetë ngjitur me “East Gate Mall”, pranë ndërmarrjes komunale, transmeton Portalb.mk.

Aksioni koordinohet nga Koalicioni i udhëhequr nga “Humanitarian Actions.mk”, Konfederata e Organizatave Sindikaliste të Maqedonisë KOSM dhe IPO Organizata Ndërkombëtare e Policisë.

Aksioni humanitar do të zgjasë disa ditë me qëllim të përmirësimit të jetës së qytetarëve, shtëpitë e të cilëve janë djegur në Maqedoninë Lindore. Qytetarët do të mund të dhurojnë dyer dhe dritare, gjë që është planifikuar për fazën e dytë të aksionit.

Sipas organizatorëve, ka pasur një fushatë të madhe në Facebook për hapjen e pikës humanitare. Ata tashmë i kanë mbledhur barnat dhe shpresojnë që pas katër deri në pesë ditë të gjithë të koordinohen me makina dhe furgona për t’i çuar te familjet.

Ata ftojnë të gjithë qytetarët të vijnë me donacionet e tyre, të cilat më pas do t’u dërgohen familjeve të rrezikuara nga zjarret.

Ndryshe, Kryqi i Kuq i Republikës së Maqedonisë së Veriut, përmes ekipeve të veta mobile, u angazhua në mbështetje logjistike të ekipeve, institucioneve dhe qytetarëve të angazhuar në shuarjen e zjarreve.

Kryqi i Kuq hapi linjat telefonike SOS për ndihmën e parë psikologjike (NPP) për popullatën e prekur nga zjarret. NPP ofrohet nga vullnetarë të trajnuar të Kryqit të Kuq.

ZjarrZjarrfikës