Javën e kaluar, në pikën kufitare “Bllacë”, është parandaluar importi i dy dërgesave me 27.520 kilogramë (27,5 tonë) qumësht UHT (i pasterizuar) nga Kosova, për shkak të pranisë së konstatuar të aflatoksinës mbi përqendrimet maksimale të lejuara, informojnë nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV), transmeton Portalb.mk.
Nga atje thonë se qumështi ishte i destinuar për shitje në një zinxhir marketesh në vend, por për shkak të parregullsisë së konstatuar, ai nuk është lejuar të hidhet në qarkullim.
Të dyja dërgesat, nën mbikëqyrjen e veterinerit zyrtar, janë asgjësuar në mënyrë të padëmshme në deponinë “Drislla”.
“Mostrat për analizë laboratorike të dy dërgesave të pasigurta të qumështit UHT janë marrë në kuadër të Programit të Monitorimit, të cilin shërbimet inspektuese të AUV-së e zbatojnë në pikat kufitare për dërgesat me ushqime me origjinë shtazore gjatë importit në vend”, thuhet në njoftimin e AUV-së.
Ndërkohë, Agjencia më 17 korrik të këtij viti miratoi vendim për vendosjen e masave të veçanta të sigurisë gjatë importit të qumështit, produkteve të qumështit, si dhe produkteve që përmbajnë qumësht të kondensuar dhe qumësht pluhur.
Me këtë janë forcuar kontrollet zyrtare gjatë importit, duke përfshirë analizat e detyrueshme laboratorike dhe kontrollet e përputhshmërisë me kërkesat për cilësi.
Qëllimi, sipas AUV-së, është që në tregun vendas të vendosen vetëm produkte të sigurta dhe cilësore, si dhe të sigurohen kushte të drejta për konkurrencë dhe mbrojtje për prodhuesit vendas dhe konsumatorët.