Në Gostivar po mbahet edicioni i 21-të i Kolonisë Ndërkombëtare të Artit “DRAUDACUM 2026”, një aktivitet tradicional kulturor që për pesë ditë zhvillohet në Qendrën për Kulturë Gostivar dhe në hapësirat e Shoqatës “Draudacum”, shkruan Portalb.mk.
Në këtë edicion marrin pjesë rreth 30 artistë të konfirmuar, prej të cilëve 10 janë nga jashtë vendit, 10 nga qytete të ndryshme të Maqedonisë së Veriut dhe 10 artistë gostivaras. Artistët e huaj vijnë nga Austria, Kroacia, Turqia, Kosova, Shqipëria, Greqia, Italia dhe Serbia.
Drejtori i Shoqatës “Draudacum”, Arjan Rufati, për Portalb.mk tha se këtë vit është bërë përpjekje që në koloni të përfshihen sa më shumë artistë të rinj, duke u dhënë atyre mundësinë të njihen dhe të shkëmbejnë përvoja me artistë të afirmuar.
“Këtë vit jemi përpjekur të përfshijmë sa më shumë artistë të rinj, duke u dhënë atyre mundësinë të njihen dhe të shkëmbejnë përvoja me artistë të afirmuar, gjë që për shumicën prej tyre, si pjesëmarrës nga jashtë vendit, është një mundësi e rrallë. Në këtë edicion marrin pjesë rreth 30 artistë të konfirmuar: 10 nga jashtë shtetit, 10 nga qytete të ndryshme të Maqedonisë së Veriut dhe 10 artistë gostivaras. Aktivitetet zhvillohen në Qendrën për Kulturë Gostivar dhe në hapësirat e Shoqatës”, deklaroi Rufati.
Ai shtoi se në kolonitë artistike, artistët nuk kufizohen nga tema të paracaktuara, por secili pjesëmarrës sjell stilin dhe qasjen e vet krijuese.
“Shoqata “DRAUDACUM” është nismëtare e shumë aktiviteteve të artit figurativ, jo vetëm në Gostivar, por edhe më gjerë. Ky aktivitet u mundëson artistëve figurativë të krijojnë lidhje, të shkëmbejnë përvoja dhe të promovojnë krijimtarinë e tyre. Kolonia artistike jo vetëm që mban gjallë jetën kulturore, por edhe kontribuon në promovimin e qytetit dhe shtetit tonë. Çdo artist i huaj, përmes pjesëmarrjes, njihet më afër me kulturën, traditën dhe vlerat e vendit tonë”, deklaroi Rufati.
Kolonia Ndërkombëtare e Artit “DRAUDACUM” vlerësohet si një nga aktivitetet që mban gjallë jetën kulturore në Gostivar dhe njëkohësisht krijon hapësirë për bashkëpunim mes artistëve vendorë dhe ndërkombëtarë.
Ekspozita përmbyllëse e kolonisë do të mbahet sonte në Qendrën për Kulturë në Gostivar, me fillim në ora 20:00.