Në Gostivar do të fillojë edicioni i 8-të i Festivalit të Teatrove “Othello” 

Sonte me fillim nga ora 20:00 te Pallati për Kulturë në Gostivar do të fillojë edicioni i tetë i festivalit të teatrove “Othello” në Gostivar. Ky festival i cili për gjashtë netë radhazi do të sjellë trupa teatrore, nis me Teatrin e Tetovës – Tetovë me shfaqen “Dredhit e Patukut”, njofton Portalb.mk.

Natën e dytë, në skenën ngjitet Teatri Eksperimental – Tiranë me shfaqen “Lule Sajza”. Natën e tretë jepet shfaqja “Çiftet” nga Teatri i Dramës – Shkup, ndërsa të enjten Teatri Kombëtar i Sarajevës – Sarajevë me shfaqen “Një është Muhamed Ali”. Teatri i Thesalisë – Larisa e ka të rezervuar natën e premte me shfaqen “Medea’s Burqa” dhe natën e shtunë dhe të fundit shfaqen “Fluturimi mbi folenë e Qyqes” që e sjell Teatri Adriana – Ferizaj.

Drejtori i festivalit “Othello”, Argjend Hasani për Portalb.mk bën me dije se risi për sivjet është pjesëmarrja e Teatrit Kombëtar të Sarajevës, Teatri i Greqisë dhe Teatri Kombëtar i Tiranës.

“Ka edhe shumë risi të tjera po ta lëmë që publiku ti shijojë. Interesimi për të ardhur në “Othello” ka qenë shumë i madh sidomos i shfaqjeve që janë brendapërbrenda teatrove në Maqedoni, por edhe i teatrove nga shtet e tjera”, tha Hasani.

Ai shtoi se edhe sivjet hyrja do të jetë pa pagesë, i cili është edhe qëllimi i festivalit.

Ajdar Ajdari, menaxher i marketingut të festivalit “Othello”, tha për Portalb.mk se shfaqet i kanë përzgjedhur bukur prandaj do të jetë një edicion shumë konkurrent.

“Do të jetë një edicion besoj shumë konkurrent, sepse shfaqet i kemi të përzgjedhura bukur. Duke u bazuar te platformat e marketingut shohim një interesim mjaft të madh për këtë edicion edhe pse në gjitha edicionet e kaluara ka pasur shumë interesim dhe do shohim sonte në hapje se si do të startojë,” tha Ajdari.

Ndryshe, edicioni i tetë i festivalit të teatrove “Othello” mbështetet financiarisht nga Ministria e Kulturës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Komuna e Gostivarit dhe Qendra për Kulturë në Gostivar.

Teatër shfaqje teatroreTeatri i DramësTeatri i GostivaritTeatri i TetovësTeatri Shqiptar Shkup