Studentët dhe gjimnazistët hyjnë sot në ditën e tretë të protestës, pas dy ditësh të shoqëruara me tensione, përplasje me policinë dhe dëme materiale në disa institucione dhe biznese në kryeqytet, transmeton Euronews.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar këtë mëngjes për herë të parë pas përshkallëzimit të protestës, duke akuzuar opozitën për aktet e dhunës dhe duke deklaruar se personat përgjegjës do të përballen me ligjin.
Ndërkohë, në orën 10:00 pritet të nisë seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë, në të njëjtën kohë kur studentët kanë njoftuar zhvillimin e protestës së radhës. Përplasja e dy zhvillimeve e vendos sërish situatën politike dhe protestën studentore në qendër të vëmendjes.
Rama reagon nga Kolegji i Evropës: Aktet e dhunës nuk janë duart e studentëve
Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur ambientet e Kolegjit të Europës, pranë Piramidës në Tiranë, për të reaguar pas dhunës së regjistruar gjatë ditës së djeshme. Ai e cilësoi godinën e dëmtuar si simbol të asaj që, sipas tij, po ndodh në vend, duke pretenduar se aktet e dhunës nuk përfaqësojnë studentët, por opozitën.
Rama deklaroi se qeveria është e gatshme të ulet në bisedime me studentët për të diskutuar dhe gjetur zgjidhje, ndërsa paralajmëroi përgjegjësi ligjore për personat e përfshirë në akte të dhunshme.
“Deri dje kjo ishte zyra e Kolegjit të Europës, shkollës së Europës së Bashkuar, që e çelëm në Shqipëri së bashku me udhëheqësit europianë të pranishëm në Tiranë. Sot kjo është rrënoja e duarve që nuk janë dhe nuk mund të jenë kurrë duart e studentëve. Studentët janë e ardhmja, ata që shohin larg dhe që duan të shkojnë më larg dhe më shpejt. Janë gjithnjë të mirëpritur dhe ne jemi gati të ulemi, të flasim, të diskutojmë dhe të gjejmë zgjidhje”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë akuzoi opozitën se po përpiqet ta largojë Shqipërinë nga rruga europiane, ndërsa theksoi se përgjegjësit për dëmet do të përballen me ligjin.
“Kushdo që mendon se ligji është larg, gabon. Përgjegjësia përpara ligjit është e gjithsecilit. Kushdo që ka dorë do të paguajë, sepse Shqipëria nuk do të kthehet më kurrë pas”, deklaroi kryeministri.
Kuvendi mblidhet në seancë plenare, studentët paralajmërojnë protestë
Në ditën e tretë të protestës, vëmendja përqendrohet edhe te Kuvendi i Shqipërisë, ku në orën 10:00 është parashikuar të zhvillohet seanca e radhës plenare.
Studentët kanë njoftuar njëkohësisht zhvillimin e protestës së radhës, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të vijojë situata pas përshkallëzimit të dy ditëve të fundit.
Në rendin e ditës së Kuvendit është parashikuar një interpelancë urgjente e kërkuar nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike me ministrin e Brendshëm, Ervin Demo. Deputetët kërkojnë shpjegime lidhur me reagimin e Policisë së Shtetit ndaj protestuesve.
Po ashtu, janë parashikuar edhe tri interpelanca të tjera: dy me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, të kërkuara nga deputetët Ermal Pacaj dhe Tedi Blushi, si dhe një me ministrin e Financave, Petrit Malaj, të kërkuar nga Tedi Blushi.
Çfarë pritet të shqyrtohet në Kuvend?
Përveç interpelancave, deputetët pritet të shqyrtojnë disa projektligje, mes tyre ratifikimin e Konventës së Këshillit të Europës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, marrëveshjen për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar me Maqedoninë e Veriut, ndryshimet në ligjin për shërbimet e pagesave dhe projektligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Në rendin e ditës është përfshirë gjithashtu projektvendimi për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale.
Dita e dytë u shoqërua me përplasje dhe dëme materiale
Protesta e djeshme, e nisur para Ministrisë së Arsimit, u përshkallëzua gjatë pasdites, kur protestuesit u zhvendosën drejt qendrës së Tiranës.
Gjatë tubimit u regjistruan sulme me gurë dhe molotovë ndaj godinave institucionale, përfshirë Ministrinë e Ekonomisë dhe Kryeministrinë. Policia iu përgjigj protestuesve me ujë dhe gaz lotsjellës në përpjekje për të shpërndarë turmën.
Në protestë u përfshinë edhe gjimnazistë. Nxënës të gjimnazit “Partizani” bojkotuan mësimin dhe, sipas raportimeve, disa prej tyre bllokuan përkohësisht rrugën pranë shkollës me kosha mbeturinash të cilëve u vunë flakën.
Edhe Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri reagoi për përshkallëzimin e situatës, duke shprehur shqetësim për dhunën dhe duke kërkuar që veprimet e policisë të jenë proporcionale dhe të respektojnë të drejtat themelore të protestuesve dhe gazetarëve.
Sot, në ditën e tretë të revoltës studentore, vëmendja mbetet te zhvillimet në terren, reagimi i institucioneve dhe qëndrimi që do të mbajnë palët përballë kërkesave të studentëve.