Musk: Roboti i Teslas mund të jetë mësues, shoqërues dhe dado

Shefi i Teslas dhe SpaceX, Elon Musk, ka bërë sërish deklarata të guximshme për robotin Optimus të kompanisë së tij. Musku ka thënë se robotët do ta rrisin vlerën e Teslës në 25 miliardë dhe se mijëra prej tyre do të punojnë në fabrikat e kësaj kompanie deri në vitin e ardhshëm, transmeton Koha.net.

Ai shtoi gjithashtu se Optimus nuk do të shërbejë vetëm si robot praktik, por do të bëhet shoqërues, madje edhe dado.

Modeli më i fundit i robotit Tesla Optimus është emërtuar “Gen 2” dhe ka marrë disa përmirësime në krahasim me versionin e mëparshëm. Këto përmirësime do t’i lejojnë robotit të kryejë veprime të ndryshme të shkathëta. E gjithë kjo tregohet në disa video.

Megjithatë, pretendimet e Muskut duhet të merren të rezervuara, të paktën kështu e thotë përvoja. Ndër të tjera, në vitin 2021 ai pretendoi se Tesla do të ketë automjete autonome të Nivelit 5 vetë-drejtues deri në fund të vitit. Nga ana tjetër, disa nga premtimet e tij të guximshme janë realizuar, si ulja e kostos së misioneve hapësinore falë raketës Falcon 9.

Optimus ka një lloj funksionaliteti të modelit të gjuhës (LLM) si ChatGPT për të qenë në gjendje të bisedojë me pronarin. Kjo është në përputhje me vizionin e Muskut për t’i bërë teknologjitë “fantastiko-shkencore” më të përballueshme. Megjithatë, ideja që Optimus mund të bëhet shoqërues i njeriut në të ardhmen e afërt duket e vështirë për t’u realizuar.

Musk foli për Optimus gjatë mbledhjes vjetore të aksionarëve në Austin, Teksas.

“Është shoqëruesi juaj, mund të jetë në shtëpinë tuaj, të kujdeset për fëmijët tuaj dhe të luajë rolin e një mësuesi. Mund të bëjë gjithashtu punë në fabrikë. Mendoj se të gjithë në botë do të duan të kenë një të tillë, fjalë për fjalë të gjithë”, ka thënë Musk.

CTRL Z – CTRLZElon Musk (Mask)RobotTesla