Murtezani në Bruksel, do të diskutohet për gjendjen e katër fushave që mbulon Raporti i fundit i KE-së për sundimin e së drejtës

Me ftesë të kryesimit hungarez me Këshillin e BE-së, Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, sot në Bruksel do të marrë pjesë në takimin zyrtar të Këshillit për Çështje të Përgjithshme të Bashkimit Evropian (GAK). Kjo është pjesëmarrja e parë e ministrave të vendeve kandidate për anëtarësim në Union, së bashku me vendet anëtare, që të jenë pjesë formale e GAK-ut në të cilën do të diskutohet Raporti i Komisionit Evropian për sundimin e së drejtës, transmeton Portalb.mk.

“Në mbledhjen e sotme, parashihet të diskutohet për gjendjen e katër fushave që mbulon Raporti i fundit i KE-së për sundimin e së drejtës 2024: sistemin gjyqësor, antikorrupsionin, pluralizmi mediatik dhe liria e medias, si dhe çështje të tjera institucionale që kanë të bëjnë me mekanizmat e kontrollit.

Krahas MÇE-së Murtezani, si përfaqësues i Maqedonisë së Veriut, në takimin zyrtar për Çështje të Përgjithshme të BE-së, të pranishëm do të jenë edhe kolegë të tij nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia”, thonë nga Ministria e Çështjeve Evropiane.

Kujtojmë se Komisioni Evropian në Raportin e fundit të progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor, vendin e vlerësoi pa asnjë përparim në fushën e korrupsionit. Edhe atëherë, lidhur me ndryshimet e Kodit Penal u tha se pengojnë aftësinë e autoriteteve për të hetuar dhe ndjekur penalisht vepra të tilla.

Pa përparim edhe gjyqësori u vlerësua atëkohë dhe u kërkua që Këshilli Gjyqësor të përpiqet të mbrojë integritetin dhe pavarësinë e gjyqtarëve dhe institucioneve dhe  t’i rezistojë çdo ndikimi të jashtëm.

Eurointegrime Negociata RMV-BEMinistria për Çështje Evropiane (MÇE)Orhan MurtezaniRaporti i Komisionit Bashkimit Evropian (KE) për Maqedoninë