Mucunski në takim me Kos: Qeveria plotësisht e përkushtuar për përparim në procesin integrues

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, sot në kuadër të vizitës së punës në Bruksel zhvilloi takim me eurokomisaren për zgjerim, Marta Kos. Nga kjo ministri thanë se, në takim u diskutua për ecurinë e procesit të anëtarësimit, agjendën reformuese të shtetit, si dhe për zbatimin e Planit për Rritje, transmeton Portalb.mk.

Mucunski thuhet se gjatë takimit ka theksuar se Qeveria mbetet plotësisht e angazhuar për arritjen e përparimit në procesin integrues dhe e mobilizuar për përmbushjen e reformave të BE-së dhe obligimeve të marra në kuadër të Agjendës Reformuese.

“Në këtë drejtim, u përshëndet edhe përparimi në disa iniciativa që sjellin përfitime konkrete për qytetarët dhe ekonominë, si aderimi në Zonën e Vetme Evropiane të Pagesave (SEPA) dhe aktivitetet për përafrimin me rregullat e roaming-ut të BE-së. Në bisedë u hapën edhe disa çështje të tjera aktuale nga fusha e bashkëpunimit sektorial me Unionin, me fokus në integrimin ekonomik dhe ndërlidhjen”, thuhet në kumtesën e ministrisë.

Po ashtu, më herët gjatë ditës, ministri Mucunski mbajti një takim informues me përfaqësuesit e vendeve anëtare në Grupin e Punës për Zgjerim pranë Këshillit të Bashkimit Evropian (COELA), ku rikonfirmoi përkushtimin e Qeverisë ndaj rrugës evropiane, me fokus në dhënien e rezultateve konkrete reformuese për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe përafrimin e mëtejshëm me standardet e BE-së.

Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.

Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet. 

Bashkimi Evropian (BE)Eurointegrime Negociata RMV-BEMarta KosMinistria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme (MPJTJ)Qeveria e Maqedonisë së VeriutTimço Mucunski